Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Djegia e 4 makinave, ja dëshmitë e ndryshme të Desara Mançellarit dhe Filip Papajanit

Djegia e 4 makinave, ja dëshmitë e ndryshme të Desara Mançellarit dhe Filip Papajanit
April 04
07:57 2016

Pak ditë më parë, 23-vjeçarja Desara Mançellari u vuri flakën katër makinave, në shenjë hakmarrje ndaj ish-të dashurit të saj, Filip Papajanit. Ajo ka pranuar se ka qenë ajo që i ka dhënë fund lidhjes, për shkak të ndërhyrjeve të vazhdueshme të nënës së tij, e cila nuk ishte dakord me lidhjen e tyre.

Desara Mançellari ka treguar se me Filipin ishin njohur në lokalin e babit të tij dhe fillimisht lidhja kishte shkuar mirë, edhe pse ai ishte dy vjet më i vogël. Por ka qenë pikërisht diferenca e moshës mes tyre, të cilën nëna e djalit, Areti Papajani, nuk e ka pranuar dhe ka shkaktuar probleme.

Duke e fajësuar këtë të fundit, si dhe të dashurin që e kishte goditur me shpullë, 23-vjeçarja vendosi të digjte makinën e nënës së tij, por nuk mori parasysh që flakët mund të përhapeshin duke djegur edhe tri makinat e tjera parkuar pranë saj.

Nga ana tjetër, 21-vjeçari Filip Papajani, në dëshminë e dhënë, ka mohuar mundësinë që të ketë ushtruar dhunë ndaj Desara Mançellarit. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, ai është shprehur se as ai dhe as babai i tij nuk e kanë dhunuar vajzën.

“Po, unë kam qenë i dashuri i Desarës, por vendosa të ndahesha me të, pasi gjatë kohës që kam qenë jashtë shtetit kuptova që ajo më gënjente dhe kjo gjë më bezdisi. Ajo mendoi të bënte jetën e saj kur unë isha larg, ndërsa mua më thoshte gënjeshtra. Kur erdha i thashë se historia jonë nuk mund të vazhdonte më. Kemi debatuar bashkë, por jo me duar. Pas dy-tri ditësh babai im e ka takuar atë, sepse shpesh ka qenë babai im që qetësonte ujërat kur ne grindeshim. Ajo ishte në një lokal dhe ne e morëm, shkuam te lokali ynë. Pas kësaj kemi dalë, kemi folur pa asnjë problem”,- është shprehur ai.

Më tej, ai mohon të ketë qenë ai që e ka denoncuar Desarën në polici, por persona të tjerë të cilëve iu dogjën makinat.

“Babai im është ndërtues dhe jemi në gjendje shumë të mirë ekonomike. Sara e di mirë këtë gjë, sepse gjithë verës ajo është larë bashkë me motrën e kushërirat e veta në pishinat e mia, kemi shkuar bashkë jashtë, në lokalet që familja ime posedon, ka qenë bashkë me familjen time. Kemi dalë shpesh për jetë nate bashkë dhe në Tiranë e sigurisht që s’kam qenë me 2 mijë lekësha, sepse familja ime më ofron një status më të mirë ekonomik”, – ka deklaruar më tej 21-vjeçari.

Etiketimet
Shperndaje