Blitz

 Breaking News

Dhunonte në mënyrë çnjerëzore vajzën e saj 13 vjeçare, shoqërohet nga policia 41 vjeçarja nga Saranda

Dhunonte në mënyrë çnjerëzore vajzën e saj 13 vjeçare, shoqërohet nga policia 41 vjeçarja nga Saranda
January 21
11:10 2020

“Fiks Fare” denoncoi mbrëmjen e djeshme një rast shumë të rëndë,  dhunën “kafshërore” ndaj një vajze vetëm 13-vjeçare. Autori nuk ishte aspak i panjohur për të miturën, por vetë nëna e saj. Me zë dhe figurë, emisioni investigativ faktoi se nëna e dhunon sistematikisht vajzën për arsye të ndryshme.

Njëherë përse kishte dalë me shoqet jashtë pallatit, herë tjetër përse luante në telefon dhe rasti më flagrant ishte përse vajza nuk kishte larë enët dhe po bënte mësimet. Në këtë rast, sipas asaj që shihet në videon e transmetuar nga “Fiks Fare”, nëna e qëllon disa herë në kokë vajzën. Më pas arrin deri aty sa e kap prej flokësh dhe e tërheq zvarrë. Vajza i drejtohet disa herë që ta lërë, madje i thotë se “do të vras veten”. Denoncuesi i këtij skandali ishte vetë njerku i vajzës, i cili i vuri në dispozicion emisionit investigativ regjistrime audio dhe video, që faktonin pikërisht dhunën çnjerëzore ndaj të miturës.

Në këto regjistrime, nëna e qëllon, e shan dhe e ofendon gjithë kohës. “Pse, mësove! Pusho, pusho! Mësove? Mësove, ëëë, që le enët pa larë” dëgjohet t’i thotë vazhdimisht, teksa e qëllon, ndërsa më pas e kërcënon: “Do të qeth, do të bëj zero flokun”.

Sipas denoncuesit, dhuna ka qenë sistematike. Por ai ka faktuar vetëm dhunën e datës 2 shtator 2019. Në dhjetëra episode, nëna vazhdimisht dhunon vajzën, madje flet edhe me fjalë të rënda në prani të dy fëmijëve. “Dil çik përjashta, më ha k… ça do njoftosh ti”- i thotë ajo bashkëjetuesit, ndërsa vijon “dil jashtë, dil jashtë se të q… n… se të bëra ty me telefon”.

Ndërkohë, në një regjistrim tjetër, nëna i drejtohet vajzës që të mos qajë se “të thera, aty të vdesësh”. Regjistrimet vijojnë me sharje dhe ofendime të tjera, teksa i thotë se “Do të therë, moj bushtër. T’i plasi gjak nga goja nga veshët, të vdesë në vend”. Dhe, gjatë këtyre sharjeve dhe mallkimeve, vazhdonte ta qëllonte. “Ia kam dhënë unë shpirtin dhe do ia marr unë shpirtin. Të vdesësh tani, tani të dali shpirti. Qepe! Moj bushtër” -vijon ajo.

Në datën 2 shtator 2019, gruaja denoncoi bashkëjetuesin për dhunë në familje. Kur shkoi policia, burrin e gjeti të gjakosur dhe me shenja dhunë. Nga ana tjetër, gruaja nuk kishte asnjë shenjë. Fillimisht, gjykata vendosi urdhër mbrojtje për 41-vjecaren. Pak ditë më pas, me një vendim tjetër, gjykata e Sarandës konstatoi se me shenja dhune ka qenë burri, i cili ka pasur kafshime, gërvishtje dhe gjakosje. Më 17 shtator 2019, gjykata rrëzoi urdhrin e mbrojtjes. Në këtë proces, gjykata pranon se burri ka paraqitur një USB ku tregohet dhuna e gruas ndaj vajzës së mitur dhe ndaj tij. Në gjykatë u pyet edhe vajza e mitur, e cila tregoi se njerku nuk e ka dhunuar. Ajo tha se e ëma e ka qëlluar me shpulla. Për këto “shpulla” gjykata vendosi se janë “e drejta e saj prindërore”.

Dhuna në familje u hetua edhe nga Prokuroria e Sarandës. Në prokurori burri denoncoi dhunën ndaj vajzës 13-vjeçare. Ndërkohë, në këtë vendim të prokurorisë, thuhet se “nëna për mirë edukimin e vajzës, fjalët e vlerësuara se janë fyese nuk janë shprehur se cilat janë”. Sipas prokurorisë, “kujdesi për mirërritjen e fëmijës mund të ketë çuar edhe në rritjen e tonit nga ana e nënës”. Në këtë vendim thuhet se policia gjyqësore ka dhënë disa vendime për ekspertime mjeko-ligjore të të dyve, por asnjëri prej tyre nuk është ekzaminuar nëse kanë dëmtime apo jo.

Qytetari shkoi të pyesë në polici dhe prokurori për hetimet, por nuk mori asnjë përgjigje. Në polici i thanë se çështja është në prokurori, ndërsa në prokurori i thanë “nuk është prokurori”. Dhe, pasojat e mosveprimit të institucioneve kanë agravuar situatën, ku vajza është sërish pre e dhunës barbare, shpëtim nga kjo situatë mendon se e gjen vetëm duke vrarë veten.

Gjithsesi, menjëherë pas denoncimit të emisionit “Fiks Fare”, policia ka bërë shoqërimin e 41 vjeçares E.M banuese në Sarandë, për veprime të mëtejshme.

41-vjeçarja akuzohet jo vetëm për dhunën e ushtruar ndaj vajzës së saj të mitur, por edhe për dhunën ndaj bashkjetuesit të saj. Në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Sarandës, vijojnë veprimet për sqarimin dhe zbardhjen e rrethanave në lidhje me rastin konkret, shprehet policia në reagimin zyrtar. /Blitz.al/

Burimi: Top Channel

 

Share