Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Dhunoi jetimin 3-vjeçar, kujdestarja Dafina Fama dënohet me shërbim prove

Dhunoi jetimin 3-vjeçar, kujdestarja Dafina Fama dënohet me shërbim prove
April 15
21:58 2016

Kujdestarja Dafina Fama, e cila pak kohë më parë u akuzua për dhunën e ushtruar ndaj jetimit 3-vjeçar në Shtëpinë e Fëmijës në Durrës, është dënuar me 18 muaj shërbim prove nga Gjykata e Durrësit.

Nga ana tjetër, Prokuroria ka kërkuar 3 muaj burg për kujdestaren që akuzohet për kryerjen e veprës penale “Keqtrajtim i të miturve”. Në bazë të nenin 59 të Kodit Penal, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës kërkoi pezullimin e ekzekutimit të vendimit për pjesën e mbetur të dënimit penal me burgim të pavuajtur nga e pandehura, për një periudhë kohe prove prej 18 muajsh, me kusht që e pandehura të mos kryejë vepër tjetër penale gjatë periudhës së provës. Bazuar në nenin 61 të Kodit Penal, ajo është e detyruar që gjatë kësaj periudhe, të mbajë kontakt me Shërbimin e Provës të Qarkut Durrës.

Dafina Fama u deklarua ditën e sotme fajtore nga Gjykata e Durrësit, e cila e dënoi me 3 muaj burgim. Në sajë të nenit 406 të K.Pr.Penale Famës iu ul 1/3 e dënimit penal me burgim të dhënë, duke shkuar përkatësisht në 2 muaj burgim. Në aplikim të nenit 59, të pandehurës iu pezullua ekzekutimi i vendimit për pjesën e mbetur të dënimit penal, për shkak të rrezikshmërisë të pakët të saj.

Kujdestarja Dafina Fama u vu në pranga menjëherë pas publikimit të ngjarjes së rëndë në emisionin investigativ “Stop”, lidhur me dhunën e ushtruar ndaj jetimit 3-vjeçar. Kujdestarja, e cila prej tre vitesh punonte në Shtëpinë e Fëmijës në Durrës, dhunoi 3-vjeçarin pasi konstatoi se ai kishte urinuar në të brendshmet e tij gjatë qëndrimit në kopsht. Menjëherë pas denoncimit në media, Prokuroria e Durrësit nisi menjëherë hetimin.

Komento
Etiketimet
Shperndaje