Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Dhuna ndaj fëmijëve, Totozani: Masa të ashpra ndaj punonjësve përgjegjës

Dhuna ndaj fëmijëve, Totozani: Masa të ashpra ndaj punonjësve përgjegjës
April 01
16:00 2016

Avokati i Popullit, Igli Totozani, ka dënuar dhunën fizike dhe psikologjike të ushtruar ndaj fëmijëve në shtëpitë e fëmijëve, që funksion parësor kanë të kujdesen për ta, për mirërritjen dhe edukimin e fëmijëve jetimë ose të braktisur nga prindërit. Sipas tij, është shqetësuese përsëritja e këtyre rasteve në shtëpitë e fëmijëve.

“Dhuna ndaj fëmijëve është akt i patolerueshëm, i dënueshëm me ligj si vepër penale dhe një akt çnjerëzor. Kjo formë dhune bëhet edhe më e rëndë kur ushtrues të saj janë edukatorët dhe kujdestarët e tyre”, – është shprehur ai teksa kërkon marrjen e masave më të ashpra ndëshkuese dhe që shoqëria civile t’i bashkohet kësaj iniciative.

Gjithashtu, Avokati i Popullit ka konstatuar si problematike dobësimin e mekanizmave mbrojtëse të të drejtave të fëmijëve, pjesë e strukturave të pushtetit vendor. Ai ka theksuar se reforma territoriale dhe decentralizimi duhet të shoqërohen me forcimin e këtyre mekanizmave mbrojtës, të ngritjes dhe funksionimit të tyre në bashkitë dhe njësitë e sapokrijuara.

Komento
Etiketimet
Shperndaje