Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Detaje për “Ballkanin”, ja kush janë biznesmenët shqiptarë trafikantë

July 08
17:19 2016

Policia e Shtetit ka bërë publike disa detaje të tjera lidhur me operacionin e koduar “Ballkan” dhe 14 shtetasit shqiptarë të arrestuar, të cilët funksiononin në skemën piramidale të grupit të strukturuar kriminal.

Nga hetimet e kryera rezulton se shtetasit Jurgen Molla, Shyqyr Kotorri dhe Nuredin Nazëraj, kishin rolin e financuesit dhe të organizatorit në aktivitetin për sigurimin e trafikimin e drogës nga Turqia në drejtim të Shqipërisë për llogari të grupeve kriminale që operojnë si brenda apo jashtë vendit.

Shtetasit  Arben Prendi dhe Blerim Ukimeraj ishin në rolin e ndërmjetësuesit, ndërsa Romeo Beqa, Viktor Behaj, Anest Koromani, Denis Sinameta (Land Lleshi), Lulzim Qorri, Gjolek Xhaferi, Robert Petoshati, Myqerem Çela, Fatos Muçi, në rolin e blerësit dhe financuesit.

Policia bën me dije se grupi në fjalë i financonte paratë në fushën e ndërtimit. I akuzuari Jurgen Molla është bashkëpronar në firmën e ndërtimit “Molla shpk”, nën emrin e së cilës është ndërtuar një kompleks pallatesh në zonën midis Yzberishtit dhe Kasharit. Ai dyshohet se ka vepruar në bashkëpunim me shtetas të tjerë që janë marrë me kontrabandë nafte dhe trafik mjetesh motorike gjatë viteve të embargos së naftës.

Aktivitetin e ndërtimit e nisën në vitin 2009, fillimisht në qytetin e Lezhës dhe pas 2010-s vëllezërit Molla u shpërngulën në Tiranë ku nisën ndërtimin e një blloku pallatesh në zonën e Kasharit. Dyshohet se kanë investuar në fushën e ndërtimeve mbi 10 milionë euro.

Shyqyri Kotorri, po ashtu i akuzuar për rolin e tij si financues dhe organizator në aktivitetin e paligjshëm të drogës, është vëllai i Hikmet Kotorrit i vrarë në vitin 2013 dhe ka firmën e ndërtimit  “Kotorri-SL shpk” dhe “Hapësira X”.  Ai ka qenë i shpallur në kërkim nga drejtësia greke për kryerjen e veprave penale në fushën e trafikut të lëndëve narkotike dhe krimit të organizuar. Ai ka investuar mbi 6 milionë euro në ndërtim, kryesisht në rrugën e Elbasanit. Dyshohet se po ndërton dhe në zonën e Freskut.

Ndërsa i akuzuari tjetër, Nuredin Nazëraj është i njohur në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike, i arrestuar më parë nën këtë akuzë. Në 2014-n djali i tij, djali i tij ka kryer një vrasje në Vlorë për motive të dobëta.

Ky grup kriminal, me 30 të arrestuar dhe 25 të shpallur në kërkim, e ushtronte veprimtarinë në Shqipëri, Maqedoni, Greqi, Bullgari e Kosovë.