Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Deputeti i PS-së, Cara: Beqaj të japë dorëheqjen

Deputeti i PS-së, Cara: Beqaj të japë dorëheqjen
November 21
14:11 2016

Deputeti i Partisë Socialiste Parid Cara i ka kërkuar dorëheqjen ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja.

Nëpërmjet një postimi në faqen e tij në Facebook, Cara shkruan se ministri e konsideron pozicionin e besuar nga kryeministri si pronë që mund ta përdorë si të dojë.

Cara është i pari nga deputetët e PS-së që reagon kundër Beqajt, pas telefonatës së publikuar ku ai shkarkonte ish-drejtorin e Fondit të Sigurimit Shëndetësor për Tropojën, Çlirim Hajdarmataj.

Ja statusi i tij i plotë:

“Një video e transmetuar pak ditë më parë, ku ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, është përgjuar teksa shkarkon me telefon një drejtor, ka ngjallur me shumë të drejtë reagim negativ në opinionin publik.

Ministri, në kundërshtim me të gjitha procedurat ligjore, e konsideron pozicionin që i ka besuar kryeministri si pronë të cilën mund ta përdorë si të dojë dhe jo si një post që mund të drejtohet vetëm brenda kornizës së parashikuar nga ligji.

Një politikan i përgjegjshëm, pas asaj telefonate të transmetuar në emisionin “Stop”, duhej të jepte dorëheqjen menjëherë. Kjo qeveri dhe kjo maxhorancë nuk mund të mbajnë kosto që nuk lidhen drejtpërdrejt me punën e saj, por me tekat dhe arrogancën e një ministri.

Ilir Beqja duhet të japë dorëheqjen dhe të largohet, pasi çdo ditë më shumë ai në pozicionin e ministrit është kosto e panevojshme për qeverinë në sytë e opinionit publik”,- përfundon shkrimi i Carës.

Komento
Shperndaje