Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Denoncoi gjyqtarin nga Berati, kërcënohet nga bashkëshortja e tij

Denoncoi gjyqtarin nga Berati, kërcënohet nga bashkëshortja e tij
August 16
19:05 2016

Pas denoncimit se gjyqtari nga Berati, Shyqyri Çobo, kishte kërkuar favore seksuale në këmbim të ndihmës juridike për divorcin, shtetësja I. T 32 vjeçe është kërcënuar nga bashkëshortja e tij, shtetësja me iniciale P. Ç. Referuar njoftimit të policisë, 58-vjeçarja në Durrës dyshohet se ka kanosur 32-vjeçaren të heqë dorë nga kallëzimi ndaj bashkëshortit.

“Më datë 15.08.2016, u referuan materialet në Prokurorinë së Rrethit Gjyqësor Berat, për shtetasen P.Ç, vjeç 58, banuese në Durrës, pasi dyshohet se në lagjen “Çlirim”, në banesën e saj, ka kanosur shtetasen I.T, vjeç 32, të heqë dorë nga kallëzimi i bërë ndaj bashkëshortit shtetasit Sh.Ç. Neni 311 i Kodit Penal”.

Gjyqtari Shyqyri Çobo u pezullua nga detyra me kërkesë të prokurorisë, pas hetimeve në bazë të kallëzimit nga shtetasja me inicialet I.T e cila ishte palë në një proces civil divorci, ku gjyqtar i çështjes ishte Shyqyri Çobo. Nga hetimi ka rezultuar se në seancën e parë të procesit, gjyqtari i është ofruar kallëzueses që t’i siguronte një avokat, ndërsa më pas i kërkon në mënyrë indirekte që “ta konsiderojë mik”.

Nga vëzhgimi i tabulateve telefonike, rezultoi se gjyqtari Çobo i ka dërguar shpesh mesazhe “filozofike” dhe e ka telefonuar kallëzuesen rreth 300 herë, në një periudhë kohore prej 3 muajsh. Shtetasja I.T megjithëse e ka kuptuar qëllimin e gjyqtarit për krijimin e një lidhjeje intime, është ndjerë e frikësuar për faktin se refuzimi i prerë nga ana e saj do të sillte si pasojë humbjen në procesin gjyqësor ku ishte palë. Në mesazhet e dërguara nga gjyqtari duket qartë tendenca e gjyqtarit ndaj 32- vjeçares.”, thuhet në njoftimin e policisë.

 

Etiketimet
Shperndaje