Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Dënimi i Apelit për xhihadistët: Qeveria që prej 2 nëntorit i fut në “listën e OKB-së” si persona të rrezikshëm

Dënimi i Apelit për xhihadistët: Qeveria që prej 2 nëntorit i fut në “listën e OKB-së” si persona të rrezikshëm
November 29
22:24 2016

Fakti se në Shqipëri ka celula të ekstremizmit është pranuar edhe nga agjencitë e huaja dhe ato vendase. Shtetas shqiptarë të trajnuar në vendet në konflikt janë rikthyer të mirëstërvitur, duke shtuar riskun për një riaktivizim të këtyre elementeve në vend.

Pas alarmit që u dha se më 12 nëntor në stadiumin “Elbasan Arena” ishin planifikuar sulme dhe akte terroriste, në vend u hap panik. Të parët që reaguan ndaj përhapjes së lajmit ishte Policia e Shtetit, e cila kërkonte që informacionin e deleguar prej MOSAD, agjencisë së huaj të shërbimeve izraelite pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda ta mbante diskret.

Por lajmi kishte lidhje edhe me grupin e ish-imamëve të gjykuar për rekrutim të shqiptarëve në Siri.

9 të pandehurit e çështjes pritet që të dëgjojnë edhe verdiktin nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda.

Më 3 maj të këtij viti, Gjykata e Shkallës së Parë i dënoi të akuzuarit me 126 vite burg gjithsej, vendim i cili u ankimua edhe nga vetë ata dhe nga prokuroria.

Bujar Hysa, i akuzuar si drejtues i grupit, u dënua me 18 vjet burg, ndërsa Gerti Pashja e Genci Balla u dënuan me nga 17 vite. Zeqir Imeri u dënua me 16 vjet, ndërsa Verdi Morava, Orion Reçi e Edmond Balla u dënuan me nga 13 vjet. Fadil Myslimani u dënua me 12 vjet, ndërsa Astrit Tola u dënua me 7 vjet.

Në total, dënimi për ta është 126 vjet, ndërsa organi i akuzës kishte kërkuar 152 vjet. Të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm gjatë gjykimit dhe pretenduan në mënyrë të vazhdueshme se qenë pre e një gjykimi të padrejtë. Nëntë të akuzuarit dyshohen si anëtarë të një rrjeti rekrutuesish për xhihadistë.

Ndërkohë, qeveria, më 2 nëntor, bazuar në rezolutat e Këshillit të Sigurimit, të njohura si “lista e OKB-së”,  ka marrë vendim të shtojë në të edhe 13 persona të rrezikshëm si masë kundër financimit të terrorizmit, ndër të cilët edhe 9 personat që presin vendimin.

Ata u arrestuan në mars 2014, pasi Shqipëria adoptoi një legjislacion të ri për hetimin dhe dënimin e pjesëmarrjes në konflikte të huaja. Hetimet 2-vjeçare kanë zbuluar se mbi 100 shqiptarë, mes të cilëve edhe gra e fëmijë shkuan në Siri përgjatë viteve 2012-2014.

Komento
Shperndaje