Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Debati presidencial në SHBA arrin 84 milionë shikues, thyen rekordin e mëparshëm

Debati presidencial në SHBA arrin 84 milionë shikues, thyen rekordin e mëparshëm
September 28
10:56 2016

Si kurrë më parë, debati presidencial i së hënës mes kandidatëve Hillary Clinton dhe Donald Trump ka arritur të sigurojë 84 milionë shikues. Shikueshmëria e përllogaritur mbi bazën e 13 rrjeteve të ndryshme televizive që e transmetuan “live” ka thyer rekordin e mëparshëm që ka qëndruar për 36 vite.

Rekordi i mëparshëm u vendos në debatin presidencial të 1980-s mes demokratit Jimmy Carter dhe rivalit republikan Ronald Reagan me 80.6 milionë shikues. Në atë periudhë, numri i popullsisë së SHBA-ve llogaritej në 226 milionë banorë, ndërsa në debatin e së hënës, në 324 milionë banorë, referuar të dhënave të “US Census Bureau”.

Vetëm Super Bowl ka mundur të sigurojë një audiencë televizive të pakapshme. Llogaritet se 114.4 milionë njerëz ndoqën Super Bowl 2015 mes New England dhe Seattle.

Twitter deklaroi se përballja e të hënës mbrëma ishte edhe debati më i shpërndarë ndonjëherë. Pjesa e fundit e debatit, sipas Twitter, favorizonte Trump me 62% përballë 38% të Clinton. Ndërsa në Facebook rezultatet ishin më të njëanshme, me 79% për Trump dhe 21% për kandidaten demokrate Clinton.

Dy debatet e ardhshme do të zhvillohen më 9 dhe 19 tetor përpara zgjedhjeve presidenciale të 8 nëntorit. /Blitz.al/