Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Debatet për parkun e liqenit, Veliaj: Turp që merresh me kënde lojërash! Nishani: Beteja me vandalët s’është e lehtë

Debatet për parkun e liqenit, Veliaj: Turp që merresh me kënde lojërash! Nishani: Beteja me vandalët s’është e lehtë
April 13
13:09 2016

Gjatë një konsultimi me qytetarët për projektin te sheshi “Skënderbej”, kryebashkiaku Erion Veliaj deklaroi se presidenti Nishani është duke u përdorur politikisht nga PD. Me një gjuhë të ashpër, ai tha se Nishani po lë shije të keqe dhe ka për t’u mbajtur mend si presidenti më qesharak.

“Jam i vendosur t’i shkoj deri në fund shtimit të pronës dhe vlerës së Tiranës. Për pak javë ne e mbarojmë parku e lojërave. Çdo punë e ka armikun e vet. A i patë, deputet me pistoletë, kryetar për dekriminalizimin! Një fëmijë është më i zgjuar se një deputet me pistoletë. Nishani do t’i bashkohet Strazimirit me patllake. Zoti President, do hysh në histori si qesharak, mos e bëj këtë. Kur të hyjnë në shkollë ata fëmijë do lexojnë në histori dhe do t’u dukeni qesharak. Je aty që ta bashkosh kombin e jo ta përçash. Jo të bashkohesh me deputetin me patllake”, – u shpreh Veliaj.

Nga ana tjetër, gjatë inspektimit të punimeve te liqeni, presidenti Nishani tha se beteja me vandalët nuk është e lehtë dhe i inkurajoi aktivistët të vijojnë protestën e tyre. Ai inkurajoi shoqërinë civile të vijojë të mbajë gjallë shpresën .

“Është e papranueshme t’u prishësh fëmijëve, qytetarëve, pronën e vetme publike të qetësisë dhe çlodhjes. Është vandalizëm që s’mund të pajtohet askush. Për t’i rezistuar vandalizmit dhe vandalëve, kjo lëvizje shkon përtej kauzës. Po lind një lëvizje qytetare për emancipim, civilizim. Beteja me vandalizmin nuk është e lehtë, me dhunën qoftë verbale fizike apo ambientaliste s’është e lehtë, megjithatë ka një qëllim: gjithmonë progresi ka nisur nga njerëz mendjehapur… me ju janë miliona qytetarë kudo jetojnë. Ju inkurajoj të mos lodheni, lëvizja juaj s’është lëvizje politike, është qytetare, e stilit perëndimor europian”,- tha presidenti Nishani.