Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Daily Mail: “Shqipëria, një ferr për arinjtë!”

August 31
15:57 2016

Tabloidi prestigjioz britanik ka postuar para pak orësh një artikull të gjatë e me detaje për Tomin dhe gjendjen e arinjve të murrmë në vendin tonë.

Po flasim për ariun që u bë kryetitull jo vetëm në “Daily Mail”, por edhe në tabloide të tjerë ndërkombëtarë, për shkak të gjendjes së mjerueshme në të cilën jetonte. Në korrik, DM shkroi se Tomi gjendej në një kafaz pranë një restoranti në kryeqytetin shqiptar e ushqehej me patatina, kekë të vegjël, lëpirëse dhe shumë ushqime të tjera të paketuara pa asnjë vlerë ushqimore. Përveç kësaj, etja i shuhej me birrë që i jepej nga pronari i restorantit.

Dy muaj më pas, “Daily Mail” shkroi për shpëtimin e Tomit nga qeveria në bashkëpunim me organizatën jofitimprurëse “Four Paws”.

Sipas Carsten Hertwig, Tomi tani është i lirë nga kafazi ku kishte filluar të dëmtonte veten dhe do të qëndrojë për pak kohë në kopshtin zoologjik të Tiranës, për të udhëtuar më pas  drejt Kosovës, në habitatin e tij natyral.

“Tomi është fatlum pasi u shpëtua nga tortura, por në Shqipëri ka plot 50 arinj të murrmë që jetojnë si në ferr”, – shkruan “Daily Mail”. “Arinjtë si Jeta, e cila njihet si ariu i selfie-ve, u duhet të përballen me një realitet horror në tokën shqiptare duke u tërhequr nga hunda me zinxhirë për të tërhequr turistë e vizitorë të ndryshëm”.

Ajo shton: “Arinjtë kanë një hundë tepër të ndjeshme dhe kur tërhiqen me zinxhirë, si Jeta, dhembja e tyre është e paimagjinueshme. Akoma më i tmerrshëm është mendimi se ata duhet të ecin në të nxehtë”.

Artikullin e vet, “DM” e ka shoqëruar me një seri fotosh nga kafazi ku ndodhej Tomi dhe arinjtë e tjerë të keqtrajtuar.

Dhe në fund, tabloidi ka një mesazh për shqiptarët. “Nëse do të vazhdojnë me keqtrajtimin e kafshëve apo torturimin e tyre, e vetmja gjë që ata do të kenë janë turistët e tmerruar dhe një damkë për vite të tëra”.

 

Etiketimet
Shperndaje