Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Ç’ndodhi në Konventën e Demokratëve dhe fjalimi madhështor i Michelle Obama-s

Ç’ndodhi në Konventën e Demokratëve dhe fjalimi madhështor i Michelle Obama-s
July 26
13:25 2016

Ditën e djeshme është mbajtur Konventa Kombëtare e Demokratëve në SHBA, në të cilën shpallen kandidatët zyrtarë demorkratë për zgjedhjet e Nëntorit të këtij viti.

Shumë mbështetës të njohur u ngjitën në skenë për të shprehur përkrahjen e tyre ndaj Hillary Clinton, pretendentja demokrate për t’u shpallur presidentja e parë femër e SHBA.

Fillimisht, në skenë u ngjit Bernie Sanders, i cili deri pak javësh ishte rival i Clinton, por që tani ka dalë jashtë garës. Me fjalimin e tij, ai ktheu mbështetësit e tij në mbështetës të Clinton.

Në Konventë nuk kanë munguar as personazhe të famshëm të Hollywood-it si Gaga, Lena Dunham, Katy Perry, Lenny Kravitz dhe Shailene Woodley.

Ajo që mund të quhet “kulmi” i mbrëmjes është fjalimi prej nëne dhe gruaje i Michelle Obama-s, e cila përloti dhe ngriti në këmbë të gjithë demokratët.

“Unë banoj në një shtëpi të ndërtuar nga skllevërit dhe shoh çdo ditë vajzat e mia, dy vajza të reja me ngjyrë teksa luajnë në oborrin e asaj shtëpie. Falë Hillary Clinton, të gjitha vajzat dhe djemtë do ta marrin për të mirëqenë se një grua mund të jetë Presidente e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.”, – thotë Obama përballë demokratëve.

Ajo gjithashtu ka shtuar: “Unë dua në rolin e një presidenti dikë që e ka treguar forcën e tij… dikë që kupton se cështjet e një presidenti nuk ndahen në të bardhë e me ngjyrë dhe nuk mund të zgjidhen me një deklaratë prej 140 shkronjash.”.

“Kur ke në majën e gishatave të gjitha kodet e armëve nukleare  dhe ushtrinë më të madhe e të fuqishme të botës nën komandë, nuk mund të marrësh vendime të minutës së fundit.”, – shprehet Zonja e Parë e SHBA. “Nuk mund të jesh një person mos-kokçarës ose dikush që shpenzon pafund…”

Në fund, Michelle nuk mund të mos sulmonte Donald Trump, por ndryshe nga çdokush tjetër, ajo e ka “goditur” me shumë finesë: “Mos lejoni askënd t’ju tregojë se vendi juaj nuk është i madh, që në ndonjë mënyrë a tjetrën duhet ta ribëjmë të madh përsëri. Sepse, ky vend tani, në këto momente është vendi më i madh në Tokë. Dhe si nënë e dy vajzave që priten të dalin në botë, unë dua një lider që ia vlen. Unë jam me Hillary Clinton!”

Përveç faktit që ky fjalim bëri goxha bujë në media, vetë Barack Obama, bashkëshorti i Michelle e ka lavdëruar të shoqen për një punë të arrirë.

“Fjalim i pabesueshëm nga një grua e mrekullueshme. Nuk mund të isha më krenar dhe vendi ynë ka qenë i bekuar duke pasur një Flotus (Zonjë të Parë) si ti. Të dua Michelle”, – shkruan Obama në Twitter. /Blitz.al/

Komento
Shperndaje