Blitz

 Breaking News

“Çmendet’ moti në Australi, vendi goditet nga breshëri dhe stuhitë e rërës, por a po shuhen zjarret?

“Çmendet’ moti në Australi, vendi goditet nga breshëri dhe stuhitë e rërës, por a po shuhen zjarret?
January 22
10:44 2020

Krejtësisht e pazakontë ajo çfarë po ndodh me motin në Australi, me pikënisje që prej qershorit të 2019-ës. Pas zjarreve shkatërruese, kryesisht në juglindje, që erdhën si pasojë e thatësirës disa mujorshe në kontinentin australian, brenda 24 orëve vendi është përfshirë nga një breshër i furishëm dhe nga një stuhi ere në verilindje.

Stuhia e erës mund të shihet më mirë në video-n e mëposhtme:

Sa i përket breshërit, mediat e huaja thonë se ‘topat që ranë nga qielli kishin madhësisë e topave të golfit’. Fatmirësisht pati vetëm dëme materiale edhe pse nga madhësia e kokrrave mund të kishte edhe në njerëz.

Pyetja që kemi të gjithë gjithsesi, fakti që kanë nisur reshjet e shiut, do të thotë që zjarret po shuhen? Jo domosdoshmërisht.

Megjithëse shiu i ka ndihmuar zjarrfikësit që të kontrollojnë përhapjen e tyre dhe zyrtarët lokalë shprehen se në Australi ka patur ulje dramatike të aktivitetit të zjarrit, janë ende 87 vatra zjarri, të cilat vazhdojnë duke shkatërruar sipërfaqe të tëra.

Pra, situata kaotike vazhdon dhe zjarrëfikësit kanë konfirmuar se situata mund të përkeqësohet brenda ditëve, pavarësisht motit. “Ka të ngjarë që zjarret të rriten sërish në fund të javës.”- tregojnë ata.

Kujtojmë se zjarret në Australi vazhdojnë që prej qershorit, por u përkeqësuan nisur nga shtatori i vitit që lamë pas. veçanërisht në zonën jug-lindore, ku edhe u shpall gjendja e jashtëzakonshme.

Që nga 14 janari, zjarret kanë shkatërruar 18.6 milion hektarë tokë, kanë shkatërruar 5,900 ndërtesa dhe kanë shkaktuar vdekjen e 30 personave. Mendohet se numri i kafshëve të djegura shkon në një miliardë. /Blitz.al/

Burimi: CNN, The Guardian

Share