Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Cameron: Britania në kaos social, rritet me 57% racizmi dhe dhuna ndaj emigrantëve

Cameron: Britania në kaos social, rritet me 57% racizmi dhe dhuna ndaj emigrantëve
June 28
11:20 2016

David Cameron, ish-kryeministri britanik i cili dha dorëheqjen fill pas rezultatit të referendumit, është shprehur se në vend ditët e fundit ka një rritje me 57% të incidenteve të raportuara të cilat kanë ndodhur kryesisht si pasojë e urrejtjes dhe racizmit, një fenomen i pazakontë për britanikët deri tani.

Incidentet që kanë pasur jehonën më të madhe kanë qenë kundrejt komunitetit mysliman dhe Ambasadës Polake. Në të dyja këto institucione janë gjetur grafiti në të cilat është shkruar: “Largohuni!”, “Nuk keni më vend këtu”, “Britania e pastër sërish” dhe të tjera parulla të tilla të cilat kanë “nxehur gjakrat” mes vendasve dhe emigrantëve.

Burimet policore kanë raportuar se këto raste janë bërë të njohura për Britaninë vetëm pak pasi rezultatet e referendumit u bënë publike, pasi më parë përqindja e incidenteve për shkak të racizmit apo urrejtjes ndaj emigrantëve kanë qenë aq të vogla saqë janë konsideruar edhe të papërfillshme.

Nga ana tjetër, Ambasada Polake është shprehur shumë e habitur se si një vend në të cilin këta të fundit kanë jetuar gjithnjë në paqe për një ditë të vetme mund të shprehë një urrejtje të tillë që nuk ka asnjë sens. Megjithatë, përfaqësuesja e bordit kryesor të ambasadës polake, e cila ka jetuar në Britani për më shumë se 15 vite, ka treguar se beson fort se këto akte nuk vijnë nën emrin e gjithë britanikëve, por vetëm të një pjese të vogël njerëzish, të cilët kanë përfituar nga kriza politike në vend, për ta kthyer këtë situatë në favorin e tyre: në një krizë sociale. Fjalët e saj ajo i vërteton me faktin se fill pas incidenteve, disa qytetarë britanikë kanë dërguar lule pranë rezidencës së tyre duke kërkuar falje në emër të bashkëkombësve të tyre.

Megjithatë, drejtori i përgjithshëm i policisë së Londrës, Bernard Hogan-Howe, ka theksuar se vendi duhet të mbetet një model për sa i përket tolerancës midis emigrantëve dhe të gjithë personat, pavarësisht nënshtetësisë, të ndihen si në shtëpi. Ai ka theksuar se e kupton rëndësinë e referendumit dhe se sigurisht rezultati do të ketë disa pasoja në vend, por këto pasoja nuk duhet të lejojnë një grup njerëzish racistë dhe që udhëhiqen nga urrejtja për t’i dhënë Britanisë një imazh që ajo nuk e ka pasur asnjëherë.

Shperndaje