Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

“Brexit”, qeveria britanike rrëzon peticionin me 4 milionë firma për një referendum të dytë

“Brexit”, qeveria britanike rrëzon peticionin me 4 milionë firma për një referendum të dytë
July 09
17:15 2016

Qeveria britanike ka refuzuar të marrë në konsideratë peticionin  e nënshkruar nga 4 milionë njerëz për zhvillimin e një referendumi të dytë. Kryeministri David Cameron e rrëzoi referendumin e dytë pavarësisht kërkesës zyrtare dhe nënshkrimeve në masë.

Peticioni që u nënshkrua nga 4 milionë njerëz kërkonte zhvillimin e një tjetër referendumi për shkak të diferencës së ngushtë që shpalli fitues mbështetësit e Brexit. Por qeveria e hodhi poshtë këtë kërkesë duke u shprehur se tashmë është koha për daljen nga Bashkimi Europian dhe për të siguruar rezultate më të mira të mundshme për popullin britanik.

Në rastet kur një peticion siguron 100 mijë nënshkrime, ai merret në konsideratë dhe bëhet çështje e një debati parlamentar. Megjithatë, qeveria vendosi të mos e marrë në konsideratë. Pas rezultatit të referendumit të parë, kryeministri Cameron bëri të qartë gjatë deklaratës së tij më 27 qershor se referendumi është një ndër “stërvitjet” më të mëdha demokratike në historinë britanike.

Ndërkohë pritet që gjatë ditës së sotme të mblidhen rreth 6,000 persona që do të protestojnë kundër Brexit-it. Ata do të mblidhen në “Green Park” të Londrës ku do të shprehin kundërshtimin e tyre. Një tubim masiv u zhvillua më 3 korrik ku më shumë se 40,000 njerëz marshuan nëpër qytetin britanik ku shprehën zemërimin e tyre.