Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Blushi: Rama përfaqëson të shkuarën. Jam duke shkuar drejt opozitës, por jo Saliut

Blushi: Rama përfaqëson të shkuarën. Jam duke shkuar drejt opozitës, por jo Saliut
April 25
23:27 2016

Në një lidhje të drejtpërdrejtë për “Opinion”, deputeti socialist Ben Blushi u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve dhe analistëve të ftuar, lidhur me angazhimin e tij për një Shqipëri ndryshe dhe qëndrimin e tij të shfaqur haptazi kundër Rilindjes.

“Ky referendum pati një arsye pse u zhvillua, kishte si qëllim të më hiqte mua të drejtën e kandidimit pasi unë dua të rrëzoj Rilindjen, e theksoj Rilindjen dhe jo Partinë Socialiste. Kjo për shkak se nuk mund të vendos shenjën e barazimit mes Rilindjes dhe PS-së. Unë do vazhdoj të them të vërtetën brenda dhe jashtë partisë, do vazhdoj përpjekjen për higjienë politike pasi nuk dua të jem pjesë e kësaj farse.”, u shpreh ndër të tjera deputeti kontravers.

I pyetur se pse nuk kandidoi në zgjedhjet e 2009-s, por zgjodhi të kandidojë tani, ai tha se në ato zgjedhje kandidoi miku i tij Arben Malaj, ndaj dhe vendosi të tërhiqej. Sa i takon lëvizjes së tij të atyre viteve, deputeti socialist tha se ajo u zhbë më pas për shkak se i përmbushi qëllimet e saj.

“Mendoj se Rama e ka konsumuar kohën e tij politike, duke qenë politikani më i vjetër pas Saliut. Ai tashmë përfaqëson të shkuarën. Nuk jam duke mbrojtur opozitën, përkundrazi, PD dhe Rilindja janë të ngjashme. Njëra kërkon legalizimin e armëve dhe tjetra legalizimin e kanabisit.”, tha më tej Blushi.

I pyetur nëse ai po krijon një parti të re, Ben Blushi tha se po vazhdon të ecë dhe do vazhdojë të mbrojë parimet e tij. Ai akuzoi Rilindjen se theu shpresat e shqiptarëve duke u bërë shkak që Shqipëria të bëhet gjithnjë e më keq.

“Unë kam disa kërkesa, e mendoj se janë të drejta. Unë s’po kërkoj forcim të rolit të partisë, por respektim rregullash. Katër parti numërojnë votat e mbi 50 partive. Unë kërkoj që Meta të mos vendosë për kreun e PS-së, kërkoj të rishikohen pozicionet dhe parimet brenda partisë politike.”, tha Blushi, teksa renditi kërkesën për vende të reja pune, reforma që do sigurojnë rritje ekonomike dhe do të shmangin emigracionin.

Etiketimet
Shperndaje