Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Blushi për referendumin: Do të vazhdoj betejën për zgjedhje të lira në PS

Blushi për referendumin: Do të vazhdoj betejën për zgjedhje të lira në PS
April 09
15:12 2016

Deputeti i Partisë Socialiste, Ben Blushi, ka sqaruar mospjesëmarrjen e tij në votim, teksa vijon ta quajë një sajesë  referendumin e Partisë Socialiste, që sipas tij është krijuar për t’i hequr të drejtën atij për të kandiduar përballë Ramës.

Sipas Blushit, referendumi u krye në shkelje të plotë të statutit dhe rregullave të partisë dhe lista e zgjedhësve u manipulua, duke u reduktuar me afro 20 për qind për të mundësuar pjesëmarrjen që duhet të jetë 50 plus 1 në mënyrë që referendumi të quhet i vlefshëm.

“Arbitrarisht në këtë referendum nuk u lejua të kishte palë kundër, megjithëse ky është rregulli numër një universal i çdo referendumi. Nëse nuk ka palë, nuk ka pse të ketë referendum dhe as pyetje të diskutueshme. Nuk u lejua të ketë fushatë, nuk u lejua të ketë vëzhgues, nuk u lejua të verifikohet lista e zgjedhësve dhe nuk u lejua të ketë numërues. Pyetja është: Kush e vëzhgoi këtë proces? Kush vendosi se kush është dhe kush nuk është në listën e votimit? Kush do t’i numërojë votat? Kjo dihet. I gjithë procesi u përgatit dhe u kontrollua nga “rilindja” kundër Partisë Socialiste. “Rilindja” e organizoi, e trukoi, e vëzhgoi dhe do e numërojë.

Megjithatë, nga shumë socialistë, të cilët sot kanë vëzhguar procesin në mbrojtje të dinjitetit të tyre, jam informuar gjatë gjithë ditës për shkeljet, abuzimet me listat, komisionet e ndryshuara, pjesëmarrjen fiktive dhe mbushjet e kutive, sidomos në fshatra, ku pjesëmarrja rezulton të jetë nën 30 për qind mesatarisht”, – shprehet ndër të tjera Blushi.

Më tej, ai shpjegon se nga të dhënat e mbledhura deri në orën 14:00, rezulton se pjesëmarrja në referendum paraqitet e ulët, duke mos kaluar 50 për qind të listës, përveçse në qytetet Tiranë dhe Durrës. Blushi theksoi se beteja për të rikthyer zgjedhjet dhe lirinë brenda PS-së do të vijojë pa u ndalur.