Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Blushi-partive politike: Po pengoni reformën në drejtësi për të shpëtuar vetën

Blushi-partive politike: Po pengoni reformën në drejtësi për të shpëtuar vetën
April 14
13:03 2016

Deputeti socialist Ben Blushi, ka vijuar me akuzat e tij, këtë herë drejtuar jo vetëm mazhorancës por të gjithë parlamentit, duke i akuzuar palët se duan të shtyjnë reformën në drejtësi për të shpëtuar ata vetë. Sipas tij, kjo lojë po vazhdon prej 25 vitesh.

“Nisur nga ngjarjet e javës së kaluar, ka shumë njerëz që pyesin sot përse është ky njerëz kaq banal. Përse nuk flitet për gjëra të pakuptueshme por grindemi shumica prej nesh për gjëra të pakuptueshme. Çfarë po ndodh? Reforma në drejtësi po bllokohet pa konsensus dhe po kërkohet shtyrja me konsensus. Loja që ka ndodhur në këtë parlament prej 25 vitesh. Secila palë i ka hedhur fajin palës tjetër por asgjë nuk është bërë. Edhe nëse bëhet kjo reformë, drejtësi nuk do ketë. Ky parlament prodhon fjalë por jo vendime. Ky parlament është me shqiptarë po në shumë pak raste është në dobi të shqiptarëve”, u shpreh Blushi.

Më tej, ai vijoi me akuzat për kriminalizimin e parlamentit. Sipas Blushit, tu thuash shqiptarëve se në këtë parlament nuk ka kriminelë është si t’u thuash se ka pyll pa derra apo liqen pa ngjala, ndërkohë që ky parlament po pengon reformën në drejtësi. Blushi u ndal edhe tek Ligji i Pronave duke u shprehur se ligji u shit si reformë, pasojat e të cilës po i paguajnë shqiptarët.

“Qytetet e vogla po kthehen në fshatra, qytetet e mëdha në tregje. Aty nuk jetohet por vetëm shitet e blihet në qytetet tona. Shqipëria e gjitha po kthehet në një Pazar që ka pak investime, konsum pak ekonomi, shumë pak njerëz e shumë krim.”, tha deputeti socialist më tej.

Pas fjalës së Blushit në Kuvend, reagoi Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, i cili i dha të drejtë Blushit për reformën në drejtësi, por jo për ekonominë.

“I nderuar zoti Blushi mos harroni që kur në 23 qershor shqiptarët votuan me 1 milionë vota shumicën tonë, ekonomia ishte rënie pikiatë dhe nuk do pushoj së ju bezdisuri me këto fakte historike për të krijuar zinxhir të asaj që jemi dhe asaj që na pret. Ka qenë zero rritja, nën 1%, dhe alertimi i stanjacionit është eminent, sot është 2.6%, pra 0.5% më shumë se mesatarja e rajonit dhe janë shifrat e fundit të BB-së dhe BSH-së, përtej qeverisë shqiptare”­ tha ai.

Komento