Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Blushi: ”Nuk hyj në qeveri me Ramën. Unë jam për rrëzimin e qeverisë”

Blushi: ”Nuk hyj në qeveri me Ramën. Unë jam për rrëzimin e qeverisë”
March 18
09:01 2016

Ben Blushi, deputeti rebel i Partisë Socialiste, ishte i ftuar në emisionin” Opinion” mbrëmjen e së enjtes përballë një paneli gazetarësh. Ai diskutoi qëndrimin dhe konstatimet e tij për situatën aktuale brenda Partisë Socialiste, taksën progresive, pagat dhe papunësinë, ngjarjen në Elbasan dhe shprehu qëndrimin e tij për vendimin që pritet pas dy ditësh nga Kongresi, ku do të diskutohet çështja e statutit.

Në lidhje me zgjedhjet e vitit 2009, Blushi pohoi se nuk u vodhën votat, Edi Rama i  humbi ato zgjedhje.  Po sipas tij, në 2013-n nuk fitoi Rama, por Partia Socialiste.

I pyetur në lidhje me mbledhjen e grupit parlamentar dhe incidentin me gotën për të cilin u komentua gjatë, Blushi u përgjigj me një fjali: “Ai u mbyt në një gotë ujë”. Edhe Blushi nuk donte të shtonte më shumë rreth ngjarjes së cilës më parë i bëri bisht kryeministri.

Nuk mbeti pa u përmendur tensioni i krijuar në Elbasan Termin “qifte” të përdorur në Elbasan ai e ka shpjeguar si një moment tensioni dhe jo tendencioz, duke kërkuar ndjesë nëse romët janë ofenduar nga kjo shprehje: “Ajo që më çudit është se kanë kaluar dy javë nga Elbasani dhe nuk ka distancim nga Rama për ato që u përmendën”,- tha Blushi.

I pyetur nga Fevziu nëse do të bashkëpunonte në qeverisje me Ramën, Blushi u përgjigj: “Nuk hyj në qeveri me Ramën. Nuk jam aq mediokër. E di që do të bëj lajm, por unë jam për rrëzimin e qeverisë. I kam votuar nismat e qeverisë duke mbyllur hundët”.

Sipas Blushit, nuk po qeveriset siç duhet, ndërsa Partinë Demokratike e ka quajtur fundërrinë, pasi opozitën, sipas tij, po e bën shoqëria civile.

Ndërkaq, Blushi i shpërfilli pyetjet nëse Nano apo Rama, sipas tij ka qenë më i mirë si kryeministër apo pse miqësia e tij dhe kryeministrit është prishur. Ai i ka mëshuar faktit, i nxitur nga krahasimi i gazetares me figurën e tij në një autobus, duke u kundërpërgjigjur se edhe autobusi duhet i përbashkët, jo privat. “Unë dua të bëhen zgjedhje brenda partisë, jo zgjedhje për kryeministër”- ka përfunduar Blushi, duke shpresuar se statuti do të respektohet. “Partia Socialiste është partia më e madhe, me depozitën më të madhe të votave dhe për 2017-n nuk diskutohet nëse fiton apo s’fiton, por çfarë do të bëhet”.

Shperndaje