Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Blushi dhe Hafizi shpallin nismën: Presidenti të zgjidhet nga populli

Blushi dhe Hafizi shpallin nismën: Presidenti të zgjidhet nga populli
June 27
11:44 2016

Deputetët socialistë Ben Blushi dhe Mimoza Hafizi kanë shpallur ditën e sotme nismën për disa ndryshime kushtetuese. Përmes saj, ata synojnë të arrijnë zgjedhjen e Presidentit nga populli dhe që popullit t’i lejohet të ndryshojë Kushtetutën e vendit.

Në njoftimin e bërë publik, deputetja e PS-së, Mimoza Hafizi shpjegoi se me ndryshimin që kërkohet, populli shqiptar do ketë të drejtën të vendosë vetë për reformën në drejtësi, si dhe reforma të tjera të rëndësishme.

Amendamentet u përgatitën me Arta Daden dhe Ben Blushin në diskutim me një grup deputetësh, përkatësisht: Agron Duka, Arta Dade, Ben Blushi, Dashamir Shehi, Eduard Selami, Luljeta Arapi, Mimoza Hafizi, Nard Ndoka, Tahir Muhedini, Vangjel Dule.

“Me amendamentin e parë kushtetues, ne kërkojmë që Presidentin e Republikës t’ia japim popullit.
Ka të paktën dhjetë vjet diskutimesh, idesh dhe përpjekjesh në politikën shqiptare dhe në opinionin publik për zgjedhjen e Presidentit të Republikës nga populli. Një President i zgjedhur nga populli, dhe jo nga Kuvendi, do të jetë figurë e pavarur nga politika e ditës dhe përfaqësues i unitetit të popullit në ushtrimin e detyrave të tij të rëndësishme kushtetuese. Ne nuk kërkojmë ndryshimin e kompetencave të Presidentit, kërkojmë vetëm ndryshimin e mënyrës së zgjedhjes së tj. Në shumë vende të botës, që nga SHBA e Franca, por edhe Mali i Zi, Turqia, Sllovenia, Serbia, Rumania, Kroacia, Bullgaria, Polonia, Moldavia, Maqedonia, etj., Presidenti i Republikës zgjidhet nga populli.

Me amendamentin e dytë kushtetues, ne kërkojmë që popullit t’i bëhet e mundur të ndryshojë Kushtetutën e vendit. Me Kushtetutën aktuale, këtë të drejtë populli e merr vetëm nëse bëhen bashkë 94 deputetë, ose 2/3 e parlamentit. Por 94 deputetë është e vështirë të bien dakord. Edhe kur bien dakord, preferojnë ta ndryshojnë kushtetutën vetë, pa pyetur popullin, siç ka ndodhur në vitin 2008. Ne kërkojmë që ky numër të ulet në 2/5, pra në 56 deputetë.”, shkruhet ndër të tjera në njoftimin e deputetes Hafizi.

Komento