Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Blerjet online, ndryshon vendi i shlyerjes së taksës

Blerjet online, ndryshon vendi i shlyerjes së taksës
August 19
16:29 2016

Me miratimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave për vendosjen e tarifës doganore mbi produktet që blihen online dhe kushtojnë mbi 22 euro, fluks i madh qytetarësh i janë drejtuar zyrës tranzit të Postës Shqiptare në Tiranë për të kryer zhdoganimin.

Për shkak të ankesave të shumta, Posta Shqiptare ka bërë me dije për “TCH” se qytetarëve nuk do t’u duhet më të paraqiten në banka të nivelit të dytë apo pranë doganës për të shlyer pagesën. Kjo pagesë e tatimit doganor do të mund të kryhet edhe pranë zyrës postare të qytetit ku banojnë.

“Për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve, kryesisht atyre që vijnë në Tiranë nga rrethet, Posta Shqiptare do t’u japë atyre mundësi të kryejnë pagesën e detyrimit doganor edhe pranë zyrës postare në qytetin ku ata banojnë”, – thotë Dritan Caka, këshilltar juridik pranë Postës Shqiptare.

Nga ana tjetër, Ministria e Financave sqaron se me këtë vendim, Shqipëria afrohet me Bashkimin Europian dhe rajonin dhe është  një procedurë që eviton informalitetin. Ministria e Financave thekson se blerjet e kryera përpara miratimit të VKM-së nuk do t’i nënshtrohen këtij vendimi.

“Ulja e këtij pragu është në një linjë me vendet e BE-së dhe vendet e Europës Juglindore. Ky vendim është botuar në Fletoren Zyrtare dhe hyn në fuqi në datën 3 gusht. Të gjitha porositë e mbërritura deri në këtë datë, natyrisht që do t’i nënshtrohen kufirit të vjetër të taksimit”,- sqaron Ministria e Financave. /Blitz.al/

Etiketimet
Shperndaje