Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Blendi Fevziu, së shpejti baba për herë të tretë? Rrëfimi i gazetarit

Blendi Fevziu, së shpejti baba për herë të tretë? Rrëfimi i gazetarit
April 10
09:14 2017

Gazetari Blendi Fevziu, përpos anës profesionale, ka edhe një jetë të vrullshme familjare.

Detaje nga puna, karriera dhe jeta e tij familjare ai i ka rrëfyer në një intervistë për “Prive”.

Në këtë intervistë, ai ka rrëfyer se si e ndan kohën mes familjes dhe punës dhe tregon marrëdhëniet e veçanta që ka me dy vajzat.

“Vajza e vogël është ende shumë e vogël. Është vetëm 1 vjeçe e gjysmë dhe në fazën që nuk thotë fjalë të veçanta dhe më ndjek mua mbrapa. Impresionohet nga bota e kafshëve rreth kodrave ku banojmë ne. Bota për të është e bukur me dy prindër që i rrinë te koka. Ndërsa me vajzën e madhe kam zbuluar vitet e fundit udhëtimet e gjata”, – tregon Blendi për marrëdhënien me të bijat.

Por nëse familjes do t’i shtohet një anëtar tjetër, Blendi pohon: “Nuk e di, çdo fëmijë është gjithmonë i mirëseardhur. Unë them që nuk ka bekim më të madh për një shtëpi, për një familje sesa fëmija. Dhe praktikisht, kurdo që një familje shtohet me një fëmijë, kushdo familje, ndiej një lloj kënaqësie, edhe për miq të mi. Kështu që çdo herë që një fëmijë mund të vijë në familje, është i mirëpritur”.

Ai nuk ka nguruar të pohojë se gjithashtu ka një raport të konsoliduar me bashkëshorten e tij, Inesin.

 

Më tej Fevziu tregon për karrierën dhe mënyrën si ushtrohej gazetaria dikur, në krahasim me sot:

“Nuk kemi pasur një model të mirëfilltë gazetarie dikur. Gazetarët shkruanin 1 shkrim në javë apo në muaj. Dhe nuk ishte ky model gazetarie që ne ushtrojmë sot. Këtë e mësuam duke ecur. Ne kemi ecur pa model, si ai personi që i ikin dritat dhe ecën me hamendje për të mos u përplasur me shtyllat e rrugëve. Ngjarja nuk rresht kurrë, tema e ditës nuk mbaron kurrë. Njerëzit duan të dinë çfarë fshihet pas asaj që ka ndodhur”,- tregon ai.

Më tej, moderatori i “Opinion”, tregon për librat që do të donte të shkruante, si dhe pasionin që ka për udhëtimet:

“Do të më pëlqente të shkruaja gjysmë rrëfime, gjysmë ese, gjysmë reportazhe, por e kam gjetur shumë pak këtë mundësi. Ky është një lloj zhanri që konsumohet brenda ditës më tepër sesa mbetet gjatë. Ndaj jam fokusuar te biografitë dhe librat historikë.

Lexoj të gjitha zhanret. Por letërsia ka ardhur duke u bjerrur. Dhe kanë fituar më tepër vëmendje librat historikë, filozofikë etj.

Pasioni për udhëtimet dhe vendet e veçanta është i jashtëzakonshëm. Shpenzoj kohë për të zbuluar destinacione interesante, hotele ku mund të rri, itinerare ku mund të arrihet atje. Por për mua janë më interesante ato vende që janë disi të rrezikshme, që nuk e kanë marrë vulën e certifikimit si vende të sigurta”,- përfundon ai.  /Blitz.al/


Shperndaje