Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Birra dhe muzika “zbarkojnë” në Korçë, 5 ditë festive në qytetin e serenatave

Birra dhe muzika “zbarkojnë” në Korçë, 5 ditë festive në qytetin e serenatave
August 09
17:04 2017

Qyteti i Korçës, ashtu si çdo vit në dekadën e fundit, është gati të presë festën e birrës.

Organizimi do të mbahet nga data 9 deri më 13 gusht në 2 zona kryesore që do të jenë “Pazari i vjetër” i rikonstruktuar prej disa muajsh dhe zona përreth stadiumit “Skënderbeu”.

Pritet që në këto ditë të nxehta gushti, Korça të kthehet në një destinacion freskie dhe kënaqësie për turistët, por edhe një mënyrë më tepër për t’u argëtuar nga vendësit.

Nga ana e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, janë marrë një sërë masash organizative në drejtim të sigurimit të rendit dhe qetësisë, për zhvillimin e manifestimin sa më normal të saj.

Nga këto struktura do të merren masa për bllokimin e lëvizjes së automjeteve nga vendi i quajtur “Lëndina e lotëve”, pallati i sportit, qendra e trajtimit të studentëve, drejt unazës së stadiumit si edhe në rrugën “Niko Kovaçi”. Do të lejohet parkimi vetëm për automjetet e personave apo subjekteve të veçanta të autorizuara nga Bashkia Korçë.

Përgjatë shesheve dhe bulevardeve kryesore të qytetit, “Republika” dhe “Gjergj Kastrioti”, ku ka përqendrim dhe qarkullim të madh njerëzish e mjetesh, do të ketë shërbime të shtuara të punonjësve të policisë, të cilët do të mbikëqyrin ruajtjen e rendit, do të ndërhyjnë në zgjidhjen e problemeve, si edhe do të parandalojnë krijimin e situatave të ndryshme të cilat mund të cënojnë sigurinë publike.

Gjithashtu edhe shërbimet e Policisë Rrugore do të jenë në gatishmëri të plotë, për disiplinimin e lëvizjes së mjeteve gjatë dhe pas mbarimit të aktivitetit, në kontrollin e vazhdueshëm të drejtuesve të mjeteve me qëllim respektimin e Kodit Rrugor, si edhe shmangien e aksidenteve me pasoja të rënda.

Shërbimet e rendit do të kujdesen gjithashtu për të mbajtur kontakt të vazhdueshëm me drejtuesit e objekteve me rëndësi të veçantë, si: nënstacionet elektrike, ujësjellësi etj. për të forcuar masat e ruajtjes së tyre.

Të gjithë qytetarët të cilët ndeshen me probleme apo shqetësime të ndryshme, janë të lutur të telefonojnë te numri 129 i Policisë së Shtetit.

“Policia e Korçës, duke u uruar argëtim sa më të këndshëm të gjithë pjesëmarrësve në këtë event festiv, gjen rastin t`u bëjë thirrje drejtuesve të mjeteve të jenë të kujdesshëm, të shmangin përdorimin e alkoolit, të vendosin rripin e sigurimit dhe kaskën mbrojtëse, të mos përdorin aparatin telefonik gjatë drejtimit të mjetit, në mënyrë që të mbrojnë jetën e tyre dhe të tjetrit!”- thuhet në njoftimin e policisë. /Blitz.al/

Komento
Shperndaje