Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Berisha paralajmëron Ramën: “Mos e përçmo veriun se të japim për gjysmë ore atë që meriton!”

Berisha paralajmëron Ramën: “Mos e përçmo veriun se të japim për gjysmë ore atë që meriton!”
May 11
11:54 2017

Kryeministri Berisha ka folur nga çadra e opozitës në bulevard, duke ftuar të gjithë qytetarët për protestën e madhe të opozitës në 13 maj.

Ish-kryeministri Sali Berisha ka garantuar sot se protesta e paralajmëruar e 13 majit do të jetë paqësore, por ftoi kryeministrin Edi Rama të heqë dorë nga “akti më makabër në historinë e lirisë shqiptare”, siç i quajti ai zgjedhjet pa opozitën.

“Edvin, ke marrë përsipër aktin më makabër në historinë e lirisë shqiptare, të bëhesh varrmihës i pluralizmit politik. Të bëj thirrje, nëse të ka nguluar qoftë sadopak arsye njerëzore, hiq dorë sa më parë nga kjo sipërmarrje. Nuk kanë lindur ata që mund të varrosin pluralizmin politik në Shqipëri”.

Më tej ai e ftoi kryeministrin Rama që ditën e protestës të qëndrojë  në dritare të kryeministrisë, para së cilës do të zhvillohet protesta.

“Të garantoj që ne protestën e kemi paqësore, por një gjë të siguroj: Edvin, çadra do të të duket Everest, atëherë do të shikosh se cila është çadra, do të tmerrohesh se ne jemi të vendosur në protestën tonë paqësore. Ta shndërrojmë 13 majin në ditën e triumfit, në ditën e protestës më të fuqishme, më madhështore dhe më civile në historinë e protestave në Shqipëri”.

“U bëj thirrje qytetarëve të Tiranës të hapin dyert e tyre ndaj të gjithë njerëzve që do të vijnë në protestë”.

Më tej Berisha akuzoi Ramën se ka krijuar përçarje mes njerëzve dhe se u justifikohet ambasadorëve se nuk mund të zgjidhte njerëz të tjerë veç cubave, pasi vendi qeveriset me ta.

“Ky përçarës kombëtar u  thotë ambasadorëve të huaj se unë kam futur këto horra dhe cuba në parlament se veriu tradicionalisht qeveriset nga njerëz të tillë. Horrat e cubat janë morali yt dhe i familjes tënde. Çdo shqiptar nga veriu, lindja, jugu, perëndimi, duhet të jetë krenar me atë shqipe që i mëson nëna e tij. Dhe atij mund t’i përqeshë dialektin vetëm ai që nuk është shqiptar”,- tha Berisha, duke i bërë thirrje kryeministrit të mos i përçmojë.

“Mos i përçmo! Mos përdor postin për t’i fyer dhe përçmuar qytetarët e vendit, sepse të jesh i bindur se gjëja më e thjeshtë e tyre është të të japin atë që meriton në jo më shumë se gjysmë ore”. /Blitz.al/

Komento
Shperndaje