Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

BB për Shqipërinë: Rritje ekonomike nga betoni, rënie e konsumit për shkak të emigrimit

BB për Shqipërinë: Rritje ekonomike nga betoni, rënie e konsumit për shkak të emigrimit
April 08
18:07 2016

Në analizën e saj, Banka Botërore vlerëson rritjen ekonomike të shënuar në ekonominë shqiptare përgjatë 2015-s për shkak të hidrocentralit të Devollit, një rritje prej 2.6 për qind. Megjithatë, BB shprehet për rënie të konsumit privat në vendin tonë prej 2.3 për qind.

Në raportin e sotëm, Banka Botërore publikoi vlerësimin e vet periodik për ecurinë e ekonomisë në gjashtë vende të Ballkanit që nuk janë anëtare të Bashkimit Europian. Sipas vlerësimit  të saj, BB shprehet se rritja ekonomike e Shqipërisë ishte 2.6 për qind, afro 0.5 pikë përqindjeje më e ulët nga ç’shpresohej, por kjo rritje ekonomike u furnizua para së gjithash nga sektori i ndërtimit dhe ishte e kufizuar në pak projekte.

“PBB-ja reale u rrit me 3 për qind në tremujorin e tretë, duke ruajtur një trend pozitiv, ndërsa vlerësohet të ketë arritur në 2.6 për qind për të gjithë vitin. Rritja ekonomike erdhi si rezultat i rimëkëmbjes së investimeve private”,- thuhet në raport.

Në analizën e Bankës Botërore vlerësohet si faktor kryesor i rritjes së investimeve rritja në sektorin e ndërtimit, përgjithësisht hidrocentrale dhe objekte publike jorezidenciale ndërsa pjesa tjetër e ekonomisë nuk raportohet të ketë ecur shumë mirë. Në sektorin e betonit bie në sy hidrocentrali i Devollit, një projekt prej 535 milionë eurosh, i cili kap një shifër të barabartë me rreth 5.5 për qind e prodhimit të brendshëm bruto. Një tjetër faktor ndikues vlerësohet të ketë qenë programi i riparimit të qendrave të disa qyteteve, si pjesë e programit të qeverisë. Sipas BB-së, rritja ekonomike e kësaj natyre pritet të vazhdojë edhe në vitet në vazhdim, duke qenë se për shumë vite projekti i Devollit pritet të zëvendësohet si faktor nga projekti i Gazsjellësit TransAdriatik, një tjetër investim i konsiderueshëm për nga përmasat, por me pak ndikim në nivelin e përgjithshëm ekonomik.

Sa i takon konsumit total si dhe në veçanti konsumit privat, ai raportohet të ketë pësuar rënie. Shkak për këtë rënie cilësohet masa e gjerë e emigrimit të popullsisë në vendet e BE-së. Sipas të dhënave të “Eurostat”, rreth 68 mijë shqiptarë ose mbi 2.4 për qind e të gjithë popullsisë, kërkuan azil gjatë 2015-s dhe kjo është vetëm një ndër rrugët e emigrimit që shqiptarët përdorin zakonisht.