Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Basha takim me Lu dhe Arvizu: Kriminalizim i politikës dhe administratës. Shqipëria – hambar droge

Basha takim me Lu dhe Arvizu: Kriminalizim i politikës dhe administratës. Shqipëria – hambar droge
September 27
19:57 2016

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka pritur sot në takim ambasadorin e SHBA-ve në Shqipëri, Donald Lu dhe zv/ndihmëssekretarin Amerikan të Shtetit për Çështjet e Sundimit të Ligjit dhe Trafikut Ndërkombëtar të Narkotikëve, Aleksander Arvizu.

Në bisedën me ta, mësohet se kreu i opozitës ka përshkruar panoramën në vend, teksa ka theksuar se zgjedhjet dhe stabiliteti i vendit janë në rrezik nga droga, krimi dhe korrupsioni. “Transporti i drogës po kryhet nga toka, ajri dhe deti, është shprehur Basha, duke sjellë në vëmendje trafikun me skafe dhe me avion”.

Ai ka përmendur rastin e fundit, ku në funksion të trafikut të drogës është ndërtuar edhe një pistë ajrore, çka tregon se trafiku i drogës në këtë formë është një mënyrë e preferuar nga trafikantët. Sipas Bashës, kjo shtrirje e trafikut të drogës do të ishte e pamundur pa bashkëpunimin dhe  mbrojtjen e strukturave të veçanta të Policisë së Shtetit dhe drejtuesve politikë të saj.

“Zgjedhjet në Dibër janë shembull i impaktit të drogës në zgjedhje. Rreziku që sjell me vete droga  është kriminalizimi i shoqërisë, ekonomisë dhe politikës. Edi Rama promovoi në poste kyçe në administratë dhe futi në Kuvendin e Shqipërisë persona të dënuar për trafik droge, të cilëve edhe sot vazhdon t’u japë mbrojtje duke sfiduar haptas ligjin e dekriminalizimit i cili nuk po zbatohet. Siç u pa dhe në zgjedhjet e Dibrës, këta persona po angazhohen në procese elektorale dhe po mbrohen nga kryeministri për t’i përdorur në zgjedhjet e 2017-s, duke sjellë disa shembuj si rasti i Elvis Roshit, Artur Bushit, Artur Bardhit të cilët vazhdojnë të mbajnë postin e kryebashkiakut në thyerje të dispozitave të ligjit të dekriminalizimit apo Armando Prengës dhe Arben Ndokës”, – ka deklaruar Basha.

Ai është ndalur edhe në nivelin e paprecedentë të korrupsionit në vend, duke sjellë sërish në vëmendje zgjedhjet në Dibër, që është shembull i qartë i rrezikut që shkakton krimi dhe paratë e korrupsionit.

“Reforma u vonua qëllimisht, për të pamundësuar votimin elektronik, i cili do t’i priste rrugën shitblerjes së votës”,- theksoi Basha, teksa i kushtoi rëndësi edhe çështjes së financimit të partive ku u shpreh se Partia Demokratike ka propozuar auditimin e plotë e të besueshëm të financimit dhe shpenzimeve të partive politike. /Blitz.al/

 

Etiketimet
Shperndaje