Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Bari, sekuestro gomones nga Shqipëria me 31 pako marijuanë, në kërkim 3 trafikantët

Bari, sekuestro gomones nga Shqipëria me 31 pako marijuanë, në kërkim 3 trafikantët
September 19
10:57 2016

Nga Anduena Llabani

Si rezultat i një operacioni të përbashkët antidrogë mes Policisë së Shtetit dhe autoriteteve policore italiane është arritur sekuestrimi i një gomoneje të nisur nga Shqipëria. Mjeti lundrues u sekuestrua pas një operacioni të gjatë për shkak të mosbindjes të treguar nga ana e drejtuesit të mjetit dhe dy personat e tjerë në bord.

Rreth orës 06:00 të mëngjesit u krye ndalimi i mjetit me 31 pako marijuanë, ndërkohë që janë shpallur në kërkim tre trafikantët që arritën të largoheshin.

Njoftimi i policisë

Operacion i përbashkët antidrogë ndërmjet Policisë së Shtetit dhe autoriteteve policore italiane (Guardia di Finanza). Operacioni i nisur nga Policia e Shtetit, ku është bashkëpunuar dhe bashkërenduar me autoritetet policore italiane. Sekuestrohet në Brindizi të Italisë një gomone 8.5 metra e gjatë, me dy motorë, në bordin e së cilës u gjetën 31 pako të mëdha me lëndë narkotike. Rreth orës 22. 00, të datës 18 Shtator, në lumin Vjosë, në afërsi të Urës së Mifolit, nga ana e shërbimeve të Policisë është identifikuar një mjet i dyshimtë lundrues. Mjeti është larguar me shpejtësi pasi ka parë lëvizje në afërsi të tij. Menjëherë është njoftuar policia kufitare Vlorë.

Rreth 2 kilometra nga grykëderdhja e Vjosës, patrulla e Policisë Kufitare, e planifikuar në shërbime në atë vend, i ka bërë shenjë dhe thirrje mjetit që të ndalojë. Thirrjes për të ndaluar, drejtuesi i mjetit nuk i është përgjigjur, por ka shtuar shpejtësinë. Nga ana e shërbimeve të policisë është hapur zjarr në ajër për ta ndaluar, por përsëri mjeti ka vijuar me shpejtësi të madhe. Shërbimet e policisë në momentin që i kanë bërë thirrje të ndalojë kanë identifikuar mjetin lundrues të tipit gomone me tre persona në bord i ngarkuar me disa thasë.

Ndërkohë, pas njoftimit të marrë nga organet kompetente të Policisë së Shtetit, nga ana e shërbimeve të Policisë Kufitare Vlorë të repartit special Delta, në bashkëpunim me forcat e njësisë së Guardia di Finanza në Vlorë, është organizuar operacioni për kapjen e mjetit. Me gjithë reagimin në një kohë mjaft të shpejtë të forcave policore, mjeti ka arritur të largohet i ndihmuar edhe nga moti i keq. Në ndjekje të mjetit janë vënë mjeti i Policisë Kufitare Vlorë, mjeti i repartit special Delta Forcë dhe mjeti i Guardia di Finanza-s. Megjithëse moti ishte shumë i keq dhe binte shumë shi, është vijuar me ndjekjen e mjetit deri në ujërat ndërkombëtare dhe njëkohësisht nga ana jonë janë njoftuar kolegët e Guardia di Finanza-s në Bari. Shërbimet e Policisë Kufitare Vlorë, repartit Delta dhe Guardia di Finanza, kanë qëndruar në det deri në orën 05.00 të mëngjesit të sotëm, kohë kur janë njoftuar se mjetet e Guardia di Finanza-s të Barit ishin në ndjekje te gomones.

Rreth orës 06:00, nga Guradia di Finanza e Barit jemi njoftuar se në territorin e Torre Santa Sabina, është kapur mjeti lundrues tip gomone, me gjatësi 8.5 metra, me motor Merkuri 250, plus motor rezervë, si dhe 31 pako marijuanë, ndërsa tre trafikantët kanë arritur të dalin në breg dhe më pas të largohen. Vijon operacioni për kapjen e tre autorëve. Guardia di Finanza Bari, në përfundim të operacionit, gjatë një komunikimi zyrtar me Policinë e Shtetit, ka vlerësuar se bashkëpunimi dhe koordinimi me Policinë e Shtetit në këtë aksion, si edhe në raste të tjera, ka qenë jetik për suksesin e arritur dhe kanë falënderuar përzemërsisht shërbimet e Policisë Kufitare për operacionin, informacionet e sakta dhe për bashkëpunimin.

/Blitz.al/

Etiketimet
Shperndaje