Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Ballsh, zbardhen shkaqet e aksidentit të rëndë

Ballsh, zbardhen shkaqet e aksidentit të rëndë
November 11
14:45 2016

Nga Anduena Llabani

Mosrespektimi i rregullave të sigurimit teknik në punë shkaktoi një viktimë e pesë të plagosur në uzinën e përpunimit të naftës në Ballsh. Ky është përfundimi i Inspektoratit Shtetëror Teknik dhe Industrial. Por për shoqërinë që administron rafinerinë e Ballshit incidenti ka ndodhur për tre shkaqe: ndërprerjes së paparalajmëruar të energjisë elektrike, mosfunksionimit të linjës rezervë të energjisë dhe për shkak të një gabimi njerëzor.

Sot në prokurorinë e Fierit janë marrë në pyetje punonjës të kësaj rafinerie, të cilët kanë pranuar faktin se pajisja ka pasur defekt prej ditësh.

Shpërthimi ndodhi rreth orës 22:45 në repartin e hidropastrimit. Viktima ishte pjesë e këtij reparti, në të cilin punonin 11 persona. Koha kur ndodhi shpërthimi ishte edhe orari i ndërrimit të turneve, kurse në të gjithë uzinën ndodheshin më shumë se 300 punonjës. Reparti 3 ose reparti i hidropastrimit ku edhe ndodhi ngjarja ndodhet në qendër të uzinës, shumë pranë repartit të reaktorit 3, i cili nëse do të përfshihej nga flakët do të shkaktonte një tragjedi të rëndë për qytetin e Ballshit. Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial ka nxjerrë konkluzionet për shpërthimin që ndodhi në uzinën e naftës në Ballsh. Sipas ISHTI, shpërthimi ka ndodhur për shkak të mosfunksionimit të valvulës së sigurisë, pasi nuk ishin respektuar rregullat teknike. Në njoftimin e inspektoratit thuhet se nuk funksionoi valvula e sigurimit. Në uzinën e Ballshit bëhej pastrimi i naftës me hidrogjen. Presioni i punës së pajisjes u rrit në mënyrë të menjëhershme. Ngjarja ndodhi gjatë vënies në punë të impiantit të manovrimit për ndarësin. Shkak i shpërthimit ishte mosrespektimi i rregullave teknike. Konkluzionet do t’i vihen në dispozicion prokurorisë për hetime. Për të kryer hetimet në vendngjarje ka mbërritur një grup hetuesish nga prokuroria e Fierit që drejtohet nga prokurori Çlirim Sina. Burime nga prokuroria pohuan se është ende shpejt të flitet për shkakun e shpërthimit pasi nuk janë kryer hetimet e plota. Ndërhyrja në kohë e mjeteve zjarrfikëse ka bërë të mundur shuarjen e flakëve, ndërkohë që të plagosurit janë transportuar me ambulanca fillimisht për në spitalin e Fierit, ndërsa disa prej tyre janë dërguar më pas në Tiranë. /Blitz.al/

 

Komento
Shperndaje