Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Babai i Serxhos-familjes Zhiti: “Shfrytëzoni pushtetin, e quani djalin tim gjarpër”

Babai i Serxhos-familjes Zhiti: “Shfrytëzoni pushtetin, e quani djalin tim gjarpër”
January 07
12:54 2017

Pas letrës së hapur të Eda Zhitit, nënës së Atjon Zhitit që humbi jetën në aksidentin e dy viteve më parë, ka ardhur përgjigjja edhe nga familja e djalit, të cilin ajo e quan fajtor të kësaj ngjarjeje.

Babai i Serxho Martinianit, 21-vjeçarit që tashmë lëviz mbi një karrige me rrota, pasi i mbijetoi aksidentit, në një intervistë për gazetën “Panorama”, e justifikon deri diku ato që vetë e quan fyerje nga ana e familjes Zhiti.

Leonard Martiniani thotë se familja Zhiti vërtet ka pasur një dhimbje të madhe, por ajo, sipas tij, ua ka errësuar gjykimin.

Ai tha se i konsideron fyerje të gjitha ato që janë thënë në media nga nëna e shokut të djalit të tij. Fakti që djali i tij nuk i ka takuar prindërit e Atjonit, sipas Leonard Martinianit, ka të bëjë vetëm me pamundësinë e tij për të lëvizur.

Gjatë intervistës, ai hedh akuza dhe pretendon se provat e ngjarjes janë manipuluar. Ndërsa eksperti që është paraqitur në gjyq është i palicencuar.

“Shkrimi i nënës së Atjonit ka goxha fyerje a ku di unë se si ta quaj. Ne gjithmonë kemi vlerësuar se ata, pra familja Zhiti, vërtet kanë pasur një dhimbje të madhe dhe mendoj se dhimbja ua ka errësuar gjykimin. Dhe po i bën që të nxjerrin gjëra që nuk janë të sakta. Fyerje për Serxhon vetë, për të ëmën, për mua”,- thotë ai.

Për sa u përket pretendimeve të nënës së Atjonit se Serxho nuk ka denjuar as t’i marrë në telefon apo t’i takojë prindërit e tij, babai i Serxhos thotë: “Ai është shprehur që donte ta takonte dhe Serxho i ka thënë që kur të donte të vinte ta takonte. Kjo pasi djali im është me karrocë dhe e ka të pamundur. I ka bërë edhe ato pyetjet që ai donte të bënte, pak a shumë se si ka ndodhur aksidenti dhe i ka marrë përgjigjet që donte të merrte. Madje, një nga arsyet se përse im bir ishte në emision në dhjetor ishte pikërisht që në mënyrë indirekte t’ua jepte ato përgjigje që ata donin. Gjithçka çfarë ata pyesin përgjigjet i kanë aty. Aty ku ka folur djali im në atë emision. Ku po shkonin, çfarë po bënin, ku kishin qenë atë natë, çfarë marrëdhëniesh kishin me njëri-tjetrin, këto janë pyetjet dhe përgjigjet i morën”,- shprehet z.Martiniani.

Më tej ai shton: “Kanë qenë të pajisur me skafandra, të dy. Si rrallëherë, pasagjeri me skafandër, ju i shihni vetë çdo ditë se si lëvizin. Djali ka qenë i pajisur me patentë. Motori ka pasur të gjithë dokumentacionin e rregullt. Gjithçka ishte e rregullt dhe e ligjshme. Asgjë e paligjshme. Shumë e rëndësishme është se nuk kishin konsumuar alkool. Gjykata e Shkallës së Parë e ka marrë vendimin, duke e shpallur fajtor dhe e kanë dënuar me 3 vjet heqje lirie, me argumentin se është Serxho faktori determinant pse ka ndodhur aksidenti”.

Më tej babai i Serxhos akuzon ekspertizën se ka falsifikuar skemën e ngjarjes: “Është e dukshme se si është falsifikuar skema e vendit të ngjarjes. Nga 21.5 metra që ka rënë drejtuesi i mjetit nga betoni me të cilin është përplasur, e kanë manipuluar skemën e vendit të ngjarjes dhe e kanë çuar 34 metra. Për fatin e mirë dhe për gabimin e atyre, të dyja skemat, edhe e falsifikuara edhe ajo origjinale e bërë në vendin e ngjarjes janë në fashikullin hetimor. Nuk e fsheh dhe nuk e zhduk dot askush. Edhe blloku i betonit ka qenë një faktor fatal në aksident”,- thotë ai.

Më tej babai i Serxhos thotë se familja Zhiti po përdor gjithë pushtetin që ka në prokurori e gjykatë për të dënuar maksimalisht Serxhon.

“Shfrytëzojnë pushtetin që kanë në media duke e etiketuar “njeri rrugësh”, “gjarpër”, “djall” etj., ndërkohë që ishte student dhe me gjithë vështirësitë e shumta vazhdon përsëri studimet në degën informatikë-biznes. A mund të jenë këta miqtë e Serxhos?”- përfundon ai.

Shperndaje