Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Babai i Pëllumb Marnikollaj: Policia greke e vrau në zyrat e shtetit

Babai i Pëllumb Marnikollaj: Policia greke e vrau në zyrat e shtetit
August 16
19:15 2016

Nga Anduena Llabani

Babai i shqiptarit Pëllumb Marnikollaj të vrarë në Greqi, akuzon policinë greke për vdekjen e tij.

“Policia greke vrau 29 vjeçarin Pëllumb Marnikollaj në zyrat e shtetit.” – Ështe kjo akuza që ngre babai i shqiptarit që humbi jetën në rajonin e policisë në Greqi, në rrethana ende misterioze.

Nikoll Marnikollaj sqaroi të gjitha momentet, që në kohën kur djali i tij u largua për t’u paraqitur në polici dhe deri në momentin kur kanë gjetur trupin gati për tu varrosur.

“Shkaktarët e vdekjes së djalit tim ma kanë krijuar Policia e Athinës. Më datën 3 gusht djali ka shkuar për t’u paraqitur për të zbatuar ato rregullat e tyre siç do qytetar tjetër, për tu paraqitur për të firmosur dhe ka shkuar në polici dhe nuk ka dalë më i gjallë nga aty.”

Babai i Pëllumb Marnikollaj tha se do të vazhdojë rrugën ligjore deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe dënimin e autorëve.

“Ai ka shkuar me dëshirën e tij për të zbatuar rregullat e tyre, për të firmosur dhe për tu kthyer aty ku ka pasur adresën për tu kthyer, por ata e dhunuan, e masakruan dhe i morën edhe jetën. Ka qëndruar 8 ditë i humbur pa adresë, nuk kishim asnjë lloj informacioni. Jemi munduar të kontaktonim dhe kemi kontaktuar me avokatin, me rajonin e policisë aty dhe na është thënë që nuk është këtu”.

Sipas tij dita kur familja humbi kontaktin me të, ishte data 3 gusht.

“ Ne do ta kërkojmë deri ku nuk shkon më. Por unë i bëj thirrje qeverisë shqiptarë, ministrisë së Jashtme, Ministrisë së Drejtësisë, ambasadës shqiptare, por edhe shtetit grek që ta zbardhin të vërtetën dhe mos ta fshehin, por ta thonë si ka qenë puna dhe të vënë para përgjegjësisë ata që shkaktuan vdekjen e tij.

Mjekësia ligjore në Tiranë, e cila ka trupin e të ndjerit, pritet që përmes autopsisë të nxjerrë dhe shkaqet e vërteta të vdekjes. /Blitz.al/

Etiketimet
Shperndaje