Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Avioni në Durrës, piloti italian: U ula për shkak të një defekti

Avioni në Durrës, piloti italian: U ula për shkak të një defekti
September 15
12:53 2016

Pas akuzave të deputetit Flamur Noka për uljen në Durrës të një avioni me drogë, konfirmohet se një avion i vogël është gjetur në grykëderdhjen e Ishmit. Burime për “News24” bëjnë të ditur se avioni drejtohej nga një pilot italian 70-vjeçar.

Nga raportimet e deritanishme, mësohet se avioni është ulur në Gotull dhe në brendësi të tij nuk është gjetur ngarkesë droge. Vetë piloti ka dëshmuar se shkak i uljes është bërë një defekt, por nuk e dinte se ku ndodhej.

“Po bëja xhiro në bregdet. Për shkak të defektit u bë ulja. Nuk e dija zonën se ku ndodhesha”, është shprehur ai për policinë. Pas kësaj, ai është dërguar në spitalin e Durrësit ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Njoftimi i plotë i policisë

Rreth orës 08:45, Policia e Durrësit ka marrë një njoftim se në fshatin Gotull, Njësia Administrative Ishëm është parë të ulet një avion i përmasave të vogla.

Menjëherë është shkuar në vendin e ngjarjes ku është konstatuar i dëmtuar gjatë uljes një avion i përmasave të vogla, ndërsa piloti nuk kishte pësuar lëndime gjatë uljes.

Piloti i avionit është një shtetas italin, Guido Andrea Guidi, 69 vjeç. Në shpjegimet e para që jep ky shtetas thotë se është ngritur nga Bari dhe ka dashur të bëjë një udhëtim me destinacion veriun e Italisë. Për shkak të kohës së bukur ka vendosur të kryejë një fluturim mbi det.

Në lartësinë 4 000-5 000 këmbë ky shtetas deklaron se i ka dhënë defekt avioni. Ka parë nga lartësia një tokë arë të punuar, të cilën e ka konsideruar vendin më të përshtatshëm për t’u ulur. Është përpjekur të ulet dhe gjatë uljes avioni ka pësuar dëmtime.

Piloti është shoqëruar në Spitalin Rajonal Durrës për një kontroll mjekësor, megjithëse nuk ka pësuar dëmtime.

Është njoftuar Prokurori i gatshëm. Gjatë kontrollit në brendësi të avionit nuk është gjetur asnjë send i kundraligjshëm. Të gjitha Shërbimet kanë kryer krehjen e vendit ku është gjetur avioni dhe zonës përreth. Policia po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave e rastit në fjalë.

/Blitz.al/

Komento
Etiketimet
Shperndaje