Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Autoritet shtetërore greke do të japin llogari mbi shkaqet e vdekjes së një shqiptari në Greqi

Autoritet shtetërore greke do të japin llogari mbi shkaqet e vdekjes së një shqiptari në Greqi
August 15
15:31 2016

Nga Anduena Llabani

Avokati i Popullit të Shqipërisë, Igli Totozani, kërkon sqarime në lidhje me vdekjen e Pëllumb Marnikollaj, i cili dyshohet se ka humbur jetën në burgun grek, “Ano Patisia”. Një shkresë zyrtare i ka mbërritur edhe Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, ku i kërkohen informacione mbi hapat që po ndërmerr ky institucion lidhur me zbardhjen e rrethanave dhe përgjegjësve që shkaktuan vdekjen e shqiptarit Marnikollaj.

29-vjeçari nga fshati Rilë i Lezhës dyshohet se ka humbur jetën në rajonin e policisë “Kato Patisia” në Greqi si pasojë e dhunës së ushtruar nga policia. Pëllumb Marnikollaj sapo kishte kryer dënimin me burg dhënë nga autoritetet greke për akuzën e vjedhjes. Ngjarja ka ndodhur rreth 10 ditë më parë, ndërkohë që autoritetet e shtetit grek e kanë mbajtur atë të fshehtë. Edhe pse nuk është i konfirmuar zyrtarisht as nga autoritetet greke dhe as nga ato shqiptare, të afërm të të riut kanë shtuar dyshime se kjo ngjarje mund të jetë e vërtetë. Viktima jetonte si emigrant në Greqi. Ai ishte arrestuar për vjedhje ndërsa kishte kryer 8 vite burg. Mësohet se në datën 3 gusht, në orën 20:00, ai është paraqitur në rajon për të mos dalë më i gjallë prej andej. Më pas policia e çoi në burg duke deklaruar se humbi jetën si pasojë e rënies nga kati i katërt i rajonit, por pak minuta para se të futej në rajon, 29-vjeçari ka pasur një komunikim telefonik me një shok, të cilit i ka thënë se do ta rimerrte pasi të përfundonte procedurat në rajon. Pas shumë kërkimeve dhe përmes një avokati është gjetur trupi i të riut në frigoriferin e varrezave Agio Anargioro gati për ta varrosur duke e klasifikuar si një kufomë pa identitet. Fillimisht drejtuesit e varrezave kanë refuzuar të tregojnë trupin, të cilit i kishin bërë autopsinë pa praninë e prokurorisë dhe rregullave ligjore. Situata bëhet edhe më e rëndë teksa drejtuesit e varrezave kishin marrë urdhër që trupi do të dorëzohej te familjarët nëse këta nuk do të bënin denoncim.

Burime zyrtare nga mjekësia ligjore në vend thanë se shkaqet e vërteta të vdekjes do të dalin pas dy javësh.

Shperndaje