Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Autori i sulmeve në Dallas dyshohet se ka vepruar i vetëm: Do vras të bardhët

Autori i sulmeve në Dallas dyshohet se ka vepruar i vetëm: Do vras të bardhët
July 09
15:59 2016

Micah Johnson, i akuzuar për vrasjen e pesë policëve gjatë zhvillimit të një proteste në Dallas, dyshohet se ka vepruar i vetëm, sipas deklaratave të zyrtarëve. “Ne mendojmë se ai ka vepruar i vetëm. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij u gjetën dhe armë.”, u shpreh kryetari i Bashkisë, Mike Rawlings. Të njëjtën gjë mendojnë edhe Shefi i Policisë, David Brown dhe Sekretarja për Sigurinë Kombëtare në SHBA, Jeh Johnson. Ndërsa Guvernatori Greg Abbott theksoi se policia do të vijojë punën për të zbuluar dhe kapur çdo të dyshuar tjetër të mundshëm që mund të jetë duke komplotuar.

Micah Johnson  kishte qenë anëtar i Ushtrisë Rezervë të SHBA-ve përgjatë viteve 2009-2015, ku kishte shërbyer në Afganistan. Nuk kishte histori kriminale, por akuza se kishte ngacmuar seksualisht një ushtare femër,  u bë shkak që ai të dërgohej në shtëpi. Sipas shefit të policisë, ai i ishte shprehur se do të vriste të bardhët, sidomos policët, për shkak të zemëratës që i kishte shkaktuar vrasja e afroamerikanëve.

Tre të dyshuar të tjerë janë arrestuar pas të shtënave, por ende nuk janë bërë të ditura detaje lidhur me identitetin e tyre dhe rolin që kishin. Një sërë sulmesh me armë që përfshijnë policë dhe civilë janë shënuar në vende të ndryshme në SHBA si pasojë e vrasjeve të afroamerikanëve në Minesota dhe Luiziana.

Në Tenesi, një veteran me ngjyrë i ushtrisë vrau një grua dhe plagosi tre persona të tjerë, përfshirë këtu edhe një oficer policie. Pas arrestimit, ai u shpreh se ndihej i shqetësuar nga dhuna policore ushtruar ndaj afroamerikanëve. Një polic u qëllua të premten në Misuri pasi kishte ndaluar një drejtues mjeti me ngjyrë teksa ishte duke patrulluar. Tjetër rast u shënua po të premten në Georgia. Ndërsa mëngjesin e të shtunës, policia në Houston qëlloi me armë një njeri me ngjyrë pasi u kishte drejtuar armën.

Një sërë protestash kundër dhunës policore janë zhvilluar edhe në Houston, New Orleans, San Francisko, Luiziana, ku protestuesit thërrisnin “nuk ka drejtësi, nuk ka paqe, kundër dhunës policore”.

Komento
Etiketimet
Shperndaje