Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Atletet shqiptare garuan për Italinë në Lojërat Paraolimpike, po ne a kemi të tillë? Ministria e Arsimit refuzon të përgjigjet

Atletet shqiptare garuan për Italinë në Lojërat Paraolimpike, po ne a kemi të tillë? Ministria e Arsimit refuzon të përgjigjet
September 30
16:38 2016

Dy atlete me origjinë shqiptare garuan për Italinë në Lojërat Paraolimpike që u zhvilluan përgjatë datave 7-18 shtator. Bëhet fjalë për Arjola Dedajn dhe Arjola Trimin.

Arjola Dedaj është një atlete paraolimpike që vuan nga sëmundja që shkakton humbjen graduale të shikimit dhe që ka fituar disa medalje në kërcim, në 200 metra dhe në 100 metra. Një shqiptare që emigroi drejt Italisë në moshën 17-vjeçare bashkë me babanë dhe vëllanë, për të punuar si fillim në fabrikë, si ndihmës-kuzhiniere e për të punuar më pas në institutin për të verbrit.

Atletja tjetër është Arjola Trimi, e lindur në Milano të Italisë, por me origjinë shqiptare. Shqiptaro-italiania që vuan nga kuadriplegia (humbje e pjesshme ose e plotë e katër gjymtyrëve), e nisi notin që në moshë të hershme. Debutimin më të madh të saj e bëri në Kampionatin Botëror të Notit në Montreal në 2013-n, ku fitoi katër medalje, për të fituar më pas një sërë medaljesh në gara të ndryshme.

Nxitur nga suksesi i këtyre shqiptareve në vendin fqinj, Blitz.al mendoi të interesohet se ç’bëhet këtu në Shqipëri. A kishim ne shqiptare përfaqësuese në Lojërat Paraolimpike 2016? A është investuar në lojërat e kësaj kategorie? Për të marrë përgjigjet e këtyre pyetjeve, iu drejtuam ministrisë së Arsimit dhe Sporteve, pse jo edhe për të pyetur nëse MAS mban kontakte me sportistet në fjalë… nëse ka shqiptarë të tjerë të ngjashëm.

Pavarësisht përpjekjes dhe këmbënguljes sonë, kërkesa drejtuar konkretisht zëdhënëses për media në këtë ministri, D. Ruzi, na u zvarrit për ditë me radhë dhe ne ende nuk kemi një përgjigje lidhur me këtë çështje. Mesa duket nuk duan të na japin një të tillë. /Blitz.al/