Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Ati i Shenjtë mban meshën solemne të Ditës së Pashkëve, lutje për refugjatët dhe viktimat e terrorizmit

Ati i Shenjtë mban meshën solemne të Ditës së Pashkëve, lutje për refugjatët dhe viktimat e terrorizmit
March 27
15:50 2016

Papa Françesku mbajti meshën solemne të ditës së Pashkëve dhe dha bekimin“Urbi et Orbi” për të gjithë besimtarët në Bazilikën e Vatikanit.

Në ceremoni morën pjesë besimtarë dhe pelegrinë nga e gjithë bota me rastin e Pashkëve. Përmes lutjes së tij,  ai kujtoi të gjithë të varfrit, të pamundurit, ata që ndodhen në luftë, refugjatët, por edhe viktimat e terrorizmit duke e dënuar këtë të fundit si një “dhunë e verbër dhe brutale”, që duhet luftuar me “armët e dashurisë”.

Shprehjen e tij të famshme  “Qytetit dhe botës”, Ati i Shenjtë e shprehu përpara mijëra të pranishmëve në sheshin kryesor të Vatikanit, që ishte vënë nën masa tejet të rrepta sigurie. Papa shprehu shpresë për arritjen me sukses të paqes, në mënyrë që me vullnet të mirë dhe bashkëpunimin e të gjithëve, të mblidhen frytet e paqes, për të filluar ndërtimin e një shoqërie vëllazërore. Papa shpreson për një takim të frytshëm të popujve dhe kulturave në zona të tjera të Mesdheut dhe Lindjes së Mesme, si Jemen, Irak dhe Libi.

“Le të na afrojë Jezu Krishti i ringjallur në këtë festë të Pashkëve me viktimat e terrorizmit, kësaj forme të verbër dhe brutale të dhunës, që vazhdon të derdhë gjakra në pjesë të ndryshme të botës”, – tha Papa Françesku.

Ai gjithashtu nuk la pa përmendur refugjatët,  shumica prej të cilëve u largohen konflikteve në Siri dhe Irak  e që janë bllokuar tashmë në Greqi: “Mesazhi i Pashkëve të Krishtit të ringjallur na fton të mos harrojmë ata burra e gra që synojnë një të ardhme më të mirë e për më tepër turmën gjithnjë e më të madhe të emigrantëve e refugjatëve, të cilët duan të shpëtojnë prej luftës, urisë, varfërisë dhe padrejtësisë shoqërore”.

E gjithë zona e San Pietros ishte e mbushur me besimtarë, të cilët u kontrolluan  me detektorë.

Komento
Etiketimet
Shperndaje