Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Atentati në Shkodër, në pranga katër të rinj

Atentati në Shkodër, në pranga katër të rinj
August 15
10:33 2016

Nga Anduena Llabani

Një skenë e ngjashme me ato të një filmi western ka ndodhur në qendër të qytetit të Shkodrës. Në shënjestër të atentatit ishte Dorjan Shtjefni, 30 vjeç , i cili, për fat të mirë, ka mbetur i plagosur. Disa orë pas atentatit, Policia e Shkodrës ka ndaluar katër persona, të cilët u aksidentuan disa minuta pas krimit, të cilët janë vënë në pranga së bashku me objektin e sulmit. Emrat e tyre nuk bëhen të ditur, por mësohet se mosha varion nga 25 deri në 29 vjeç.

Ngjarja ndodhi rreth orës 22: 15 minuta. Objekti i sulmit të atentatit, 30-vjeçari ishte duke udhëtuar me makinën tij BMW X5 me targa SB 60 CEA drejt sheshit “Demokracia”, nga zona e Piacës, (tek ish-5 heronjtë pranë hotelit “Rozafa”), kur ka rënë në pritën e dy automjeteve që kanë qëlluar në drejtim të tij.

Mësohet se në vendin e ngjarjes, policia gjeti gëzhoja armësh dhe një armë zjarri që i përkiste të plagosurit, çka tregon se mes tij dhe autorëve të sulmit ka pasur shkëmbim zjarri.

Dorjan Shtjefni është banues në lagjen “3 heronjtë” Shkodër. Pas ngjarjes janë ngritur disa pista hetimi, ndërsa 30-vjeçari, objekt i sulmit, po hetohet për konflikte të mëparshme.

Vetëm pak minuta pas ngjarjes në qendër të qytetit të Shkodrës, u raportua për një aksident me plagosjen e tre personave në vendin e quajtur “Stom Golem”, në afërsi të varrezave të qytetit në drejtim të fshatit Grudë e Re. Policia ka dyshime se personat në mjet kishin të bënin me atentatin në qendër të Shkodrës. Mendohet se autorët kanë qenë duke ecur me shpejtësi për t’u larguar, por janë përplasur me një motoçikletë.

Nga burime policore mësohet se një ndër të aksidentuarit është i plagosur me armë zjarri, pasi mes Dorjan Shtjefnit dhe tyre në momentin e pritës ka pasur shkëmbim zjarri.

Dyshimet se të aksidentuarit kanë lidhje me atentatin në qendër të qytetit, përforcohen edhe me faktin se në vendin e ngjarjes është gjetur një krehër automatiku me fishekë.

Policia nuk bën të ditur të dhënat rreth pistave që po heton dhe cilat kanë qenë shkaqet e atentatit ndaj 30-vjeçarit, ndërsa mësohet se po heton rreth konflikteve të mëparshme që ai mund të ketë pasur me persona tjerë. /Blitz.al/

Komento
Etiketimet
Shperndaje