Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Atentati në qelitë e burgut Vaqarr, i dyshuari ngre alibinë: Isha në kafene!

August 03
19:02 2016

Ergys Kolaveri është 25 vjeç dhe ndaj tij Prokuroria e Krimeve të Rënda ka ngritur një akuzë për vrasje të mbetur në tentativë. Fabula është e qartë për prokurorinë, e cila përfaqëson akuzën në sallën e gjykatës, ku një gjyqtar duhet të vlerësojë të ligjshëm arrestimin e Kolaverit për akuzat e ngritura.

Sipas prokurorisë, Ergys Kolaveri dyshohet si personi që qëlloi nga një largësi e konsiderueshme një të dënuar brenda qelisë së burgut Vaqarr, për gjakmarrje. Por i plagosur përfundoi një tjetër i dënuar, me origjinë nga Kosova, i njohur si Lili Dulaj.

Në sallën e Gjykatës së Krimeve të Rënda, Ergys Kolaveri është futur me pranga në duar por me prova dhe një alibi të fortë.

Avokati i tij ligjor ka sjellë të printuara foto të cilat tregojnë se ai gjendej në një lokal në Kamëz gjatë kohës që është kryer atentati në burgun e Vaqarrit. Pamjet janë marrë  nga kamerat e sigurisë së një subjekti privat, ndërsa avokati i tij i ka konsideruar akuzat e prokurorit si të sajuara.

“Ergys Kolaveri ka qenë duke pirë kafe në një lokal në Kamëz në momentin që ka ndodhur ngjarja”,- tha avokati.

Edhe pas pretendimeve te avokatit të bazuara në prova, gjykata vendosi të mbajë në arrest me burg pa afat Ergys Kolaverin dhe Enea Cakën, i akuzuar për moskallëzim krimi.

Ergys Kolaveri akuzohet për vrasje të mbetur në tentativë, për motive gjakmarrje. Sipas prokurorisë, ai qëlloi me një armë gjahu, automatik, nga një pozicion ku shënjestroheshin qelitë e ajrimit në burgun e Vaqarrit./Blitz.al/

 

Shperndaje