Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Artan Fuga: FLAMA QË RIVJEN!

Artan Fuga: FLAMA QË RIVJEN!
November 26
22:55 2016

Akademiku Artan Fuga ka “ngritur tonet” për situatën katastrofike ku ndodhet vendi, duke renditur njëra pas tjetrës disa prej fatkeqësive që i ndodhin vendit çdo 8 vjet.

Sipas Fugës, intelektualëve u është zhytur koka në batak dhe janë braktisur në fatin e tyre.

Ja statusi i plotë i Fugës në Facebook-un e tij personal:

 

Pse çdo 10 vjet një katastrofë që na hedh përtokë?
—————
Në 1946-n nisën masakrat me grupin e deputetëve dhe fronti nacional-çlirimtar u ça.

Në 1956-n, reformatorët që ngritën krye në Konferencën e Tiranës u degdisën në biruca dhe stalinizmi fitoi mbi humanizmin.

Në 1961-shin, kur vendet e Lindjes nisën të liberalizohen sadopak, ne shkuam drejt Kinës në vend të hapeshim drejt demokracisë.

Në 1967-n nuk u la gur mbi gur mbi vende kulti, besime, mbi ligjin, u rropatën nëpunës dhe intelektualë nën vrundullën e kontrollit punëtor.

Në 1974-n, lufta kundër liberalizimit mbylli dyer e penxhere për kulturën bashkëkohore në Shqipëri dhe qysh atëherë mendja e kombit nuk e ka marrë veten.

Në 1981-shin, tufëzimi shkatërroi bujqësinë dhe ekonominë dhe na la pa bukë, dy kokrra sheqeri në javë për pesë veta.

Në 1992-shin, shqiptarët ia mbathin nga sytë këmbët deteve dhe maleve duke boshatisur vendin e tyre.

1997-a ishte viti që rrënoi vendin me piramidat financiare.

Pak vjet më vonë, aty nga 2008-a më duket, Gërdeci tregoi se ekonominë e kishte marrë lumi. Ekonomia që vret!

Kurse 21 janari 2011 e çoi përleshjen politike në vrasje qytetarësh në bulevard.

2016, Shqipëria po rënkon nga dëngjet e kanabisit. Çdo mandat qeverisës – një gjëmë. Toka shqiptare rënkon nga bima që po mbyt ekonominë, politikën dhe shoqërinë.

Doni më përpara?

Në 1943-shin prishet Marrëveshja e Mukjes dhe Shqipëria çahet në dysh përgjithmonë.

Në 1935-n, kryengritja e Fierit e bën monarkinë të shtojë represionin.

Në 1924-n, lëvizja noliste dhe përgjigjja legaliste e hedh vendin në kaos.

Në 1914-n, Haxhi Qamili kërkon Bab Sulltanin dhe Princ Vidi ishte gjendur për të zëvendësuar shqiptarët e përçarë.

A duhen më prova?
Çfarë është ky mallkim që na rivjen çdo tetë deri dhjetë vjet si epidemitë e kolerës në Mesjetë?

A nuk e kuptoni se na vjen e na zë derën pa pyetur për rende politike, për periudha apo për qeveritarë?

Si nuk mendon shteti shqiptar të financojë një studim madhor politologjik: More, po çfarë është kjo flamë që sapo jemi bërë më vete na rivjen si gripi i pulave dhe na pret qafën si zogj?

Pse në vend ta shohim nga na vjen e të çlirohemi prej tij duke u vaksinuar, u zhysim kokën në batak intelektualëve, i lëmë si lypsarë rrugëve në dorë të Vladimir Iliçit aty te Lana, pa libra e pa brekë?

Pse në vend që të mendojmë na zhysin kokën në torta te sheshi, na marrin sytë me ca drita “vitiriu” te pemët e kalbura të bashkisë, na mbysin me helme televizive tallava?

Ore e kuptoni flamën që vjen e na mbyt çdo tetë vjet apo jo?

Zgjohuni mo, mjaft fjetët!

Komento
Shperndaje