Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Arsyeja skandaloze pse përfaqësuesja e Shqipërisë nuk do të parakalojë në ceremoninë e hapjes së “Rio 2016”

Arsyeja skandaloze pse përfaqësuesja e Shqipërisë nuk do të parakalojë në ceremoninë e hapjes së “Rio 2016”
August 06
15:10 2016

Pjesëmarrja e Kombëtares Shqiptare në Lojërat Olimpike në Rio De Zhaneiro 2016 do të mbahet mend gjatë.

Një situatë e pazakontë i ka ndodhur njërës prej përfaqësueseve të kuq e zinjve, Evagjeli Veli, e cila nuk do të ketë mundësi të parakalojë në ceremoninë e hapjes përkrah kolegëve të saj, Luiza Gega, Izmir Smajlaj, Nikol Merizaj, Sidni Hoxha dhe Briken Çalja. Arsyeja e mospjesëmarrjes në hapjen zyrtare të eventit është se Veli nuk është pajisur me kostumin zyrtar të ceremonisë. I konsideruar si një skandal, ka qenë presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, ai që ka denoncuar veprimin për gazetën “Panorama Sport”, duke e konsideruar si një  përgjegjësi totale të Komitetit Olimpik.

“Peshëngritësja Veli nuk do të jetë pjesë e delegacionit në ceremoninë e hapjes, pasi nuk ka mundur të pajiset në kohë me kostumin zyrtar, një detyrë e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar. Me të ardhur ftesa nga Federata Botërore, kam mundësuar ardhjen e sportistes në kohë rekord në Tiranë nga Greqia. I plotësuam të gjitha procedurat dhe tashmë kishte mbetur vetëm kostumi zyrtar.

Me keqardhje e them që kjo nuk u mundësua kur duhej, për të qenë në ceremoninë e hapjes. Kush është përgjegjësi i kësaj? Dihet. Përgjegjësi totale e Komitetit Olimpik”, – u shpreh i indinjuar për incidentin e radhës, presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza./Blitz.al/

Shperndaje