Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Armand Shkullaku shkarkohet nga ABC News

Armand Shkullaku shkarkohet nga ABC News
January 12
09:13 2017

Armand Shkullaku, drejtor i informacionit të ABC News, është shkarkuar nga pozicioni që mbante në këtë televizion.

Në një intervistë që ka dhënë për “Mapo”, Shkullaku thotë se vendimi për ta hequr nga puna ishte i pronarit të medias, Aleksandër Frangaj, ndërkohë që shton se do të vijojë të mbetet në korrent me politikat e ditës dhe do të marrë në konsideratë propozimet e reja.

Kjo është intervista që “Mapo”, ka realizuar me z.Shkullaku:

A është e vërtetë se nuk do të jeni më në drejtimin e ABC News?

-Po, është e vërtetë. Pas katër viteve të vështira, por edhe të bukura, në rindërtimin dhe konsolidimin e këtij televizioni informativ, erdhi dhe momenti që, në fakt, ne gazetarët e kemi gjithnjë të pritshëm, ai kur një projekt ndërpritet apo përfundon.

Ishte zgjedhja juaj?

-Jo, vendimi për të lënë ABC News nuk ishte një zgjedhje e imja. Pronari i grupit mediatik për të cilin unë punoja gjykoi se në këtë periudhë televizionit i duhet një qasje e re, menaxhariale dhe editoriale, dhe kështu kontrata ime 4-vjeçare me ABC News quhet e përfunduar këtu. Nuk do të kem një kontratë të re me këtë televizion.

Dhe pas kësaj, a keni menduar se ku do të angazhoheni?

-Frangaj më ka bërë disa propozime brenda grupit mediatik Klan. Drejtues i programacionit në Tv Klan, drejtues i një emisioni politik në ABC News apo edhe propozime të tjera, të cilat jam duke i konsideruar përpara nënshkrimit të një kontrate të re.

Për momentin do të pushoj për pak kohë dhe më pas do të shikoj vijimësinë.

Ju vjen keq që po ndaheni me ABC News?

-Padyshim, pasi besoj se bashkë me ekipin e gazetarëve dhe redaktorëve aty mundëm të krijojmë dhe të zhvillojmë një hapësirë mediatike profesionale dhe të lirë. Kam vlerësimin më të lartë për secilin prej punonjësve të ABC News, me të cilët pata kënaqësinë të punoja këto katër vite.

Besoj se ABC News është një vlerë për publikun dhe e ka merituar vlerësimin e tij. Nuk është e lehtë të shkëputesh nga një projekt, ku përpjekjet për profesionalizëm janë pjesë e pasionit personal dhe atij të një ekipi të tërë. Por si çdo ndodh rëndom në zanatin tonë, gjërat nuk mund të zgjasin përjetësisht.

Pra mesa duket po shkëputeni nga puna e përditshme e politikave edituese…

-Nga përditshmëria dhe përgjegjësia institucionale po. Por personalisht do të mbetem i angazhuar, me shkrime dhe opinione, për të thënë gjithnjë atë që mendoj dhe duke u përpjekur të mbetem i paluhatur në bindjet e mia profesionale.

 

Shperndaje