Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Ambasadorja Vlahutin, “molla e sherrit” mes Tv Klan dhe Monika Stafës

Ambasadorja Vlahutin, “molla e sherrit” mes Tv Klan dhe Monika Stafës
August 05
10:13 2016

Televizioni Klan ditën e djeshme  ka transmetuar një kronikë me në qendër gazetaren Monika Stafa, tashmë drejtuese e Këshillit të Ankesave pranë Autoritetit të Mediave Audiovizive. Tv Klan është shprehur se drejtoresha e AMA-s ka sulmuar televizionin dhe shkak për këtë ka qenë një shkrim i gazetares  në Gazetën Shqiptare, ku argumentonte si joetik publikimin e dokumenteve për deklarimin e pasurisë së ambasadores së BE-së, Romana Vlahutin. Megjithatë, në shkrimin e Monikës nuk përmendej asnjë televizion.

Ka qenë Tv Klan ai që ka bërë publik dokumentacionin për ambasadoren dhe shkruan se gazetarja ka cënuar lirinë e medias për një dokument që as vetë Vlahutin nuk e ka kontestuar. Sipas tyre, Stafa ka treguar injorancë profesionale dhe nëse sulmon televizionet, kurrsesi nuk mund të jetë edhe drejtoreshë në Autoritetin e Mediave dhe ky është një servilizëm ndaj Romana Vlahutin.  Në fund, Tv Klan është shprehur se ky shkrim është i nxitur nga inati pasi pas largimit nga Top Channel, ajo ka dashur të bëhej gazetare në Tv Klan, por nuk e kanë punësuar. Ndiqni në vijim shkrimin e plotë:

“Kryetarja e Këshillit të Ankesave në Autoritetin e Mediave Audiovizive, Monika Shoshori Stafa, ka sulmuar sot Televizionin Kombëtar Klan.

Në një shkrim, që nuk ia vlen të citojmë ndonjë paragraf për shkak të cektësisë së mendimit dhe mungesës së përmbajtjes, kjo zyrtare e punësuar për të bërë gjyqtaren e paanshme të televizioneve, merr përsipër të quajë një televizion kombëtar si një media të palirë, për shkak se publikoi një dokument zyrtar të shtetit kroat, sipas të cilit, Komisioni i Përcaktimit të Konfliktit të Interesit kishte arritur në përfundimin se Romana Vlahutin kishte shkelur ligjin.

Pas lënies së detyrës së këshilltares për Punët e Jashtme të presidentit kroat, zonja Vlahutin, sot ambasadore e BE-së në Tiranë, nuk kishte deklaruar me saktësi dhe në kohë pasurinë e saj, siç ia kërkonte ligji. Televizioni Klan e botoi pa as më të voglin ndryshim e koment këtë dokument. Drejtoresha në Autoritetin e Mediave Audiovizive e quan këtë si sulm të egër të medias së palirë shqiptare.

Edhe pse Shoshori nuk përmend emër të mediave, kuptohet qartë që e ka për Klan, sepse dokumentin e zbuloi dhe e transmetoi Televizioni Klan.

As vetë ambasadorja Vlahutin nuk e ka kontestuar dokumentin, por ka dhënë shpjegimet e saj se përse ishte proceduar për shkelje të ligjit.

Atëherë, si mund të thotë një punonjëse e Autoritetit të Mediave që media nuk është e lirë sepse botoi një dokument zyrtar të institucionit që kontrollon pasurinë dhe parandalon konfliktin kroat?

Minimumi ajo ka treguar injorancë profesionale dhe kjo analiste, që sulmon televizionet, nuk mund të marrë rrogën nga taksat e televizioneve dhe nuk mund të jetë e paanshme me këto qëndrime. Ajo, nëse do të sulmojë televizionet, është e lirë ta bëjë dhe nuk përbën problem, por kurrsesi nuk mund të jetë edhe drejtoreshë në Autoritetin e Mediave.

Edhe prokurore, edhe gjyqtare e televizioneve, ajo nuk mund të jetë.

Televizioni Klan do ta padisë kryetaren e Këshillit të Ankesave të Autoritetit të Mediave Audiovizuale për shpifje, fyerje dhe dëmtim të imazhit, pasi shkrimi i saj s’përmbante asgjë tjetër veç kësaj. Ky shkrim, përveç servilizmit ndaj Romana Vlahutin, vjen edhe për shkak se Televizioni Klan nuk e mori atë në punë pasi u largua nga Top Channel”. /Blitz.al/

 

Shperndaje