Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit thirrje publike: “Nuk bëjmë negociata me Veliajn!”

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit thirrje publike: “Nuk bëjmë negociata me Veliajn!”
July 13
19:09 2018

Në një kohë kur thirrjet për mbrotjen e Teatrit vazhdojnë të rriten dita ditës, Aleanca për Mbrotjen e Teatrit kanë publikuar një deklaratë për shtyp.

Në këtë deklaratë, AMT shpreh edhe një herë kundërshtimin për prishjen e godinës së Teatrit Kombëtar dhe refuzon të bëjë kompromis apo të ulet për bisedime me kryetarin e Bashkisë, Erion Veliaj.

Ajo gjithashtu ka bërë thirrje për të gjithë qytetarët të bashkohen çdo ditë në orën 19:00 në sheshin e Teatrit për të mbajtur kauzën gjallë.

“DEKLARATË PËR MEDIAT

Gjatë ditës së djeshme, qindra qytetarë ju bashkuan thirrjes së Aleancës për të marshuar drejt Kryeministrisë dhe Presidencës për të kërkuar mos-dekretimin e ligjit mbi Teatrin. Artistët dhe qytetarët i kërkuan Presidentit të marrë përsipër përgjegjësitë e tij, sidomos në një moment tejet delikat kur Gjykata Kushtetuese është e bllokuar. Ata i rikujtuan institucionit të Presidencës së në këto momentet mbetet një nga hallkat e vetme ku pushteti i Qeverisë mund të kontrollohet e limitohet, ashtu siç duhet ndodhë në një demokraci.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit kërkon ti rikonfirmojë mediave dhe publikut edhe njëherë qëndrimin e saj në lidhje me hapat e ndërmarra nga Qeveria deri tani.

1) Qeveria duhet të hedhë poshtë përpjekjet për të miratuar ligjin e veçantë mbi Teatrin.
a. Ai është një ligj absurd, anti-kushtetues, që shkel parimet e barazisë dhe ndarjen e pushteteve, dhe ka si synim grabitjen e truallit publik për interesa private. Nuk mund të ketë asnjë negociatë për dhe mbi atë projektligj. Kjo kërkesë ka qenë e qartë, konsistente dhe e panegociueshme;
b. Propozime alternative, si ato mbi një konkurs ndërkombëtar apo prani artistësh në grupin e negocimit të ngritur nga ky ligj, janë personale dhe aspak të mbështetur nga Aleanca;
c. Këto negociata për më tepër nuk mund të zhvillohen me Kryetarin e Bashkisë, i cili nuk është as autoriteti propozues i ligjit, por vetëm me përfaqësuesit e Qeverisë.

2) Sheshi i protestës ka qenë dhe mbetet një forum i hapur për të tërë. Për ne është kënaqësi e madhe që personat prezent kanë bindje nga më të ndryshmet politike e ideologjike, por janë mbledhur përreth një kauze më të madhe. Është bindja jonë që kjo frymë dialogu, demokracie, dhe lirie do mbetet një nga trashëgimitë më të mëdha shoqërore të kësaj lëvizje.

3) Aleanca mbetet e bindur, bazuar mbi dokumente dhe raporte të shumta teknike, që godina aktuale mund të restaurohet dhe te mbetet trashëgimi e qytetit. Opsionet e mundshme në lidhje me një godinë të re janë të shumta dhe do dalin në pah vetëm kur procesi të futet në rruge ligjore.

Aleanca do vazhdojë protestën e saj të vazhdueshme çdo ditë në sheshin e Teatrit në orën 19:00. Duke falenderuar të gjithë qytetarët që na janë bashkuar deri më sot, ne ju bëjmë thirrje të tjerëve të na bashkohen. Kauza e Teatrit është e të gjithëve.

Ju faleminderit,

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit”

Komento
Shperndaje