Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Aksioni i anti-formalitetit në fazën e dytë, Rama: Përgjigjja përfundimtare për skeptikët

Aksioni i anti-formalitetit në fazën e dytë, Rama: Përgjigjja përfundimtare për skeptikët
April 04
11:36 2016

Në takimin e posaçëm të zhvilluar ditën e sotme, kryeministri Edi Rama ka informuar nisjen e fazës së dytë të aksionit kundër informalitetit.

Kreu i kabinetit qeverisës ka vlerësuar suksesin e këtij operacioni në fazën e parë, që sipas tij solli “rezultate të prekshme”.

“Sot jemi në kushte të reja. Hapëm dy kanale të rëndësishme komunikimi për të denoncuar informalitetin. Të ardhurat për 3-mujorin e parë të vitit janë përtej parashikimeve, në 3 muaj kemi arkëtuar rreth 100 milionë dollarë më shumë, kemi regjistruar një rritje të ndjeshme në produktet e akcizës, falë rezultateve zeruam taksat për rreth 83 mijë biznese të vogla. Jemi duke mbyllur përfundimisht shtigjet e kontrabandës”,- ka deklaruar Rama.

Kryeministri e cilësoi reformën si një reformë historike, që provon se formalizimi nuk e ul fitimin e atyre që respektojnë ligjin, por sjell një përfitim reciprok qoftë për publikun, qoftë për sipërmarrësit duke e çuar ekonominë në një fazë të re.

Ai theksoi se faza e dytë e këtij aksioni është përgjigjja më e mirë për skeptikët, si dhe faza që do e konsolidojë këtë proces duke e bërë të pakthyeshëm.

“Kjo fazë do të shënojë thjeshtimin më të madh të procedurave ndaj biznesit të ndodhur ndonjëherë. Synimi ynë është që bizneset në Shqipëri të rrinë vite të tëra pa kontrolluar, por sistemi të jetë i tillë që mungesën e kontrollit ta kompensojë me një kapacitet monitorues çdo sekondë. Sot kemi në sistemin e administrimit fiskal një tru elektronik që është i lidhur me çdo sipërmarrje që jep informacion për çdo sipërmarrje, pa qenë nevoja të shkojë te dera”, – ka deklaruar Rama.

Më tej, kryeministri paralajmëroi se do të vijojë shkolla e natës për inspektorët, e cila do të vazhdojë të funksionojë për çdo inspektor tatimesh e doganash, duke ndjekur rregullisht kurset e akademisë fiskale dhe duke dhënë provime.

Etiketimet
Shperndaje