Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Aksidenti me vdekje nga deputeti Aqif Rakipi, reagon PD: “Po manipulohen provat. Rakipi, mik i Ramës”

Aksidenti me vdekje nga deputeti Aqif Rakipi, reagon PD: “Po manipulohen provat. Rakipi, mik i Ramës”
August 12
09:39 2017

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, deputeti i PDIU-së Aqif Rakipi ka përplasur për vdekje një person në aksin Durrës-Tiranë.

Nga fotot më të fundit nga vendi i ngjarjes shihet se aksidenti ka ndodhur përballë tregut të frutave perimeve në dalje të kryeqytetit drejt Durrësit.

Viktima është identifikuar si S.S., 53 vjeç, dhe dyshohet se i ka prerë rrugën makinës tip “Benz” të deputetit.

Ende mbetet e paqartë nëse në drejtimin e mjetit (në foto pas aksidentit)  ka qenë vetë deputeti apo shoferi i tij. Po ashtu mësohet se Rakipi është vetëdorëzuar në polici pas aksidentit.

Pas kësaj ngjarjeje ka reaguar Partia Demokratike, e cila kërkon zbardhje të plotë të aksidentit dhe transparencë me publikun.

“Partia Demokratike kërkon zbardhje dhe transparencë të plotë të një ngjarjeje të ndodhur sot në orët e para të mëngjesit, ku të dhënat janë se deputeti Aqif Rakipi ka aksidentuar për vdekje me makinë një person.

Ka dyshime serioze se ngjarja po përpiqet të mbahet e fshehtë dhe të manipulohen provat dhe vendngjarja në favor të deputetit që njihet si mik i ngushtë i kryeministrit Rama.

Partia Demokratike i kërkon Policisë së Shtetit të bëjë publike ngjarjen dhe i kërkon prokurorisë hetim të plotë e të pandikuar politikisht. Të dhënat janë se deputeti mik i Ramës ka qenë me shumë shpejtësi kur ka përplasur për vdekje personin dhe është larguar edhe nga vendngjarja me makinën e tij.

Prishja e vendngjarjes do t’u sjellë vështirësi ekspertëve në përcaktimin e shkaqeve të aksidentit. Për këtë arsye PD kërkon hetim e përgjegjësi të plotë para ligjit për deputetin dhe drejtësi për viktimën”,- thuhet në deklaratën e PD-së. /Blitz.al/

Shperndaje