Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Aksidenti i rëndë, piloti i MotoGP Nicky Hayden vijon në gjendje të rëndë për jetën

Aksidenti i rëndë, piloti i MotoGP Nicky Hayden vijon në gjendje të rëndë për jetën
May 18
14:48 2017

Piloti 35-vjeçar i MotoGP, Nicky Hayden, është në gjendje të rëndë për jetën, pasi u përfshi në një aksident rrugor.

Ish-kampioni i këtij sporti në vitin 2006 u përplas në Rimini nga një automjet ndërkohë që po lëvizte me biçikletën e tij.

Incidenti ndodhi jo shumë larg autodromit të Misanos, ku Hayden po pedalonte me një grup çiklistësh. Papritmas u përplas me një Peugeot 206 që drejtohej nga një 30-vjeçar. Kampioni i Kentucky-t depërtoi në xhamin e përparmë, ndërsa biçikleta e tij përfundoi në një gropë me ujë pranë rrugës.

Ai u dërgua pak momente më vonë në spital, por raportohet se është ende në gjendje të rëndë për jetën.

Pas 24 orësh, mediat italiane shkruajnë se piloti amerikan nuk ka asnjë përmirësim të gjendjes së tij shëndetësore.

Spitali Bufalini i Cesenës publikoi këtë të enjte buletinin e ri mjekësor ku shprehet.

“Nuk ka të reja thelbësore në krahasim me komunikatën e shpërndarë të mërkurën mbrëma. Pacienti mbetet i shtruar në repartin e reanimacionit dhe tabloja klinike është ekstremisht e rëndë”.

Piloti që fitoi Botërorin e MotoGP në 2006-n, siç u bë e ditur më parë, është në gjendje të rëndë, aq sa nuk mund t’i nënshtrohet operacionit, ndaj mbahet në reanimacion, ku problemi parësor është një hematomë e pësuar në kokë, ndërsa ka fraktura edhe në këmbë dhe në pjesën e legenit.

Gjatë natës mes të mërkurës dhe të enjtes, skuadra e Honda-s në Superbike ishte në spital për t’i qëndruar pranë Hayden në një moment vërtet delikat për jetën e 35-vjeçarit amerikan. /Blitz.al/

 

Komento
Shperndaje