Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Aksidenti ajror, nxirret kutia e zezë e helikopterit. Ministria e Mbrojtjes urdhëron hetim administrativ

Aksidenti ajror, nxirret kutia e zezë e helikopterit. Ministria e Mbrojtjes urdhëron hetim administrativ
April 09
13:39 2016

Tri ditë pas rrëzimit të helikopterit në Liqenin e Shkodrës, ekspertët amerikanë dhe shqiptarë kanë mundur të nxjerrin kutinë e zezë të helikopterit EC145, që do të dërgohet në Prokurorinë e Shkodrës.

Një grup pune është ngritur nga Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm, për t’u vënë në dispozicion të prokurorisë për hetimin e aksidentit, ku dy pilotë mbetën të vdekur dhe një tjetër u plagos.

Në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes bëhet me dije se janë marrë një sërë masash lidhur me ngjarjen tragjike të rrëzimit të helikopterit. Mësohet se është ngritur një grup pune me urdhër të gjeneralmajorit Jeronim Bazo, i cili është vënë në dispozicion të prokurorisë me qëllim koordinimin e të gjitha veprimeve në zonën e ngjarjes, si dhe vënien në dispozicion të të gjithë dokumentacionit dhe provave materiale që do të ndihmojnë në hetimin penal. Gjithashtu, ministrja e Mbrojtjes ka urdhëruar hetim administrativ të ngjarjes konform legjislacionit në fuqi.

Për të ndihmuar procesin e investigimit, Ministria e Mbrojtjes ka thirrur ekspertë të kompanisë prodhuese, të cilët kanë mbërritur një ditë më parë në Shqipëri. Policia e Shtetit në bashkëpunim me Policinë Ushtarake ka marrë në ruajtje vendngjarjen për të shmangur dëmtimin e provave.

Etiketimet
Shperndaje