Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Aksidenti ajror, nxirren nga uji mbetjet e helikopterit, ende jo kutia e zezë

Aksidenti ajror, nxirren nga uji mbetjet e helikopterit, ende jo kutia e zezë
April 08
15:23 2016

Në operacionin e zhvilluar përgjatë ditës së sotme janë arritur të nxirren nga uji mbetjet e helikopterit EC-145, i cili u rrëzua dy ditë më parë në Liqenin e Shkodrës. Konkretisht, deri tani është nxjerrë sedilja e helikopterit, një pjesë e motorit dhe disa mbetje të tjera. Mësohet se ato po transportohen me një kamionçinë për në Ministrinë e Mbrojtjes.

Që prej paradites së sotme nisën përpjekjet për nxjerrjen e mbetjeve, por aksioni i parë dështoi. Ato arritën të nxirren gjatë aksionit të dytë të nisur në orët e pasdites. Në këtë operacion ka marrë pjesë edhe një ekspert i kompanisë “Eurocopter”, që është edhe prodhuese e helikopterit. Pritet që të mbërrijnë specialistë të kompanisë për të përcaktuar shkakun e aksidentit.

Në ndihmë të forcave speciale, janë angazhuar nga Tirana, polumbarë dhe forcat speciale RENEA.

Si pasojë e rrëzimit të helikopterit humbën jetën piloti Floran Deliaj dhe togeri Dorian Hoxha dhe mbeti i plagosur ushtari profesionist Gerald Baramuça.