Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Agolli “përplas” pas vdekjes Artur Zhejin me Pëllumb Kullën

Agolli “përplas” pas vdekjes  Artur Zhejin me Pëllumb Kullën
February 08
10:36 2017

Vetëm pak ditë pas ndarjes nga jeta të kolosit të letrave shqipe, Dritëro Agolli, ka pasur edhe kritikë të artit të tij letrar, përpos atyre që e kanë lavdëruar.

Një ndër kritikët është edhe analisti Artur Zheji, i cili pas shkrimit të tij kritik ndaj Agollit është ndeshur me kundërshtitë e vajzës së Agollit, Elonës, e cila e cilësoi si “karkalec”, si dhe të analistit Pëllumb Kulla, që e quan “zhburrë”.

Sipas Zhejit, Agolli është përdorur nga Enver Hoxha për të dënuar intelektualët.

Për brezin e intelektualëve, tashmë të lashtë të viteve ’80, Agolli ishte kryekoka e censurës staliniste shqiptare, në krye të Lidhjes së Shkrimtarëve, kryeroja e zgjuar e linjës politike të kuqe flakë, në letërsi dhe art, që mbijetoi si një dorë e fortë në të gjitha spastrimet më të tmerrshme të viteve ’70-’80, në krizën vrastare të Enver Hoxhës”,- shkruan Zheji.

Sipas Zhejit, “kur u internuan dhe u burgosën këngëtarët e Festivalit 11 në RTSH, kur u burgos dramaturgu Todi Lubonja, Minush Jero apo u internua regjisori i mrekullueshëm Kujtim Spahivogli, që kam pasur fatin ta njihja, apo regjisori Mihallaq Luarasi, së bashku me të shoqen, të supertalentuarën Edi Luarasi dhe qindra raste të tjera.

Apo kur u burgos Edison Gjergo për një pikturë me partizanë që rrinin rreth zjarrit në një mëngjes acari, që më pas u bojatis dhe u shqye.

S’po flas për poetët e pushkatuar, për poetët apo shkrimtarët e shtypur dhe të tredhur në heshtje, për intelektualët, që më pas u përzunë si zgjebe nga Shqipëria pas viteve ’90.

“Dhe të gjitha këto ndëshkime kriminale të Partisë kishin të paktën një “Ok” të dorës së parë edhe nga Agolli, që ndërkohë shkruante poemën “Nënë Shqipëri” kushtuar komandantit të Përgjithshëm Enver Hoxha dhe rrinte kurdoherë në bashin e vendit dhe në bashin e tribunave, me raki dhe kabuni”.

Si mesazh në fund, Zheji shkruan:

Dritëroit, si kristian që jam, i uroj gjumë të qetë dhe takim paqësor në Botën Tjetër, me poetët e pushkatuar dhe të “Mjerët” që ikën nga kjo botë, më dhimbshëm dhe më pa bujë se qentë, që vriten sot rrugëve nga makinat e shpejta. Por nuk mund të tërhiqesha dot, përpara britmës që vjen nga përtej varri, i “Pluhurit të vërtetë të yjeve shqiptare”, që ranë në moçalin e zymtë të Shqipërisë”.

Por Zheji nuk la pa sulmuar as kryeministrin Rama, që e cilëson si hipokrit dhe i kujton sherret kur Rama ishte profesor tek Artet dhe Agolli në krye të Lidhjes.

Sigurisht, njeriu bën shumë zigzage në jetë, sepse jeta është e vështirë, duam s’duam! Por normalisht mund të luhatesh rreth një boshti dhe të mëkatosh hera-herës, por të lexosh kryeministrin, që është sot në majë të piramidës së shumë pushteteve, në krye të arkivolit të Agollit, të kap trishtimi. Të kap trishtimi se edhe aty ku është, ay, kryeshefi, nuk thotë dot një të vërtetë të vetme! Ose të shkëlqejë me pak fjalë t’thjeshta si e lyp rasti. Por jo! Edhe në vdekje të Agollit kërkon përmes shtirjes prej firauni të përvuajtur, të budallallepsë budallenjtë “Ishin vitet e largëta ’80. Kryeministri i sotëm do të mbronte diplomën me një pikturë ambicioze murale në katin e parë të shesh- pushimit që bashkonte degën e Dramës me Artet Figurative. Ishte i emocionuar por edhe i trembur, sepse ishin vite të këqija dhe frika ishte e madhe. E gdhinim si dy shokë të mirë deri në mëngjes dhe ai kuronte çdo detaj, ndërsa unë bëja rolin e “komisionit” mbikëqyrës të censurës që do të vinte. Dhe ia hodhëm komisionit me një hile artistësh, duke u përqendruar te natyra”,- shkruan ai.

Por nuk janë pritur mirë këto kritika të tij nga vajza e Agollit, Elona, që shkroi dje:

“Keni ecur ndonjëherë përmes një livadhi me karkaleca? Ata kërcejnë përpara fytyrës tënde. Ti i përzë me dorë, qindra të tjerë të hidhen në sy, në hundë, në vesh, në qafë. Ti vrapon, ata të mblidhen si re. Mua më kërcejnë çdo javë nga livadhi i gazetave mijëra fjalëkarkaleca. E përzë një tufë, një tjetër më lëshohet duke kërcyer. Tani, së fundi, edhe dy karkaleca pleq m’u lëshuan, duke kërcyer nëpër livadhin e gazetave me kërkërimat e tyre plot instinkt të lashtë insekti”.

Por përpos vajzës së Agollit, Zheji është sulmuar edhe nga analisti Pëllumb Kulla që e cilëson atë si zhburrë.

Ky është shkrimi i plotë i Pëllumb Kullës në Facebook-un e tij postuar edhe te gazeta Tema:

 

SA MIRË BËRE QË VDIQE, O DRITËRO!
Të qoftë i lehtë dheu që të hodhën përsipër, o njeri! Dhe më e lehtë të qoftë balta, e paktë vërtet, por rëndesa e saj është mizore.
Po ti bëre mirë që vdiqe dhe na jep rast neve, që të deshëm, të duam dhe të nderojmë, që të merremi me të, sepse dheut nuk kemi se ç’i bëjmë. 
Sa mirë, që ta zgjidhim këtë nyjë, po mundëm!
Vdekja jote, o Dritëro, na jep përparësi të themi ato që në të gjallë tënd nuk i thamë dot, ngaqë ti i dole zot vetë kaq e kaq herë. Ne jemi edhe më të zemëruar se ty, sepse ti ishe i vdekur. Dhe të vdekurit nuk zemërohen, paçka se ato që t’u thanë në vdekje janë qindra herë më revoltuese, më shpifëse, më të padrejta dhe më të ndyra. Më të shumtët nga ata që të shanë ishin të paemra, ca edhe me gjysmë-emra, por që të gjithë njësoj demagogë, njësoj sokëllitës, njësoj ulëritës, njësoj mallkimtarë të diktaturës.
Çfarë thanë për ty mund të t’i kishin thënë edhe sa ishe gjallë, edhe bile teksa lëngoje në shtrat. Do të të kishin gjallëruar. Do të të kishin ngritur në këmbë, më mirë se çdo doktor e çdo medikament! Aq revoltuese ishin. 
Por pritën sa të vdisje. 

Zhburrat mezi i presin vdekjet se ndihen më komodë pa atë njeriun që shajnë. Vdekjet u vijnë për mbarë shkarashkruesve që këndojnë trimëritë e veta, që mbushin memuarët si ua do qejfi, që shtrembërojnë dhe pikturojnë ca realitete, që të vdekurit nuk ua kundërshtojnë dot.
Ti nuk i kundërshton dot teksa janë duke të thënë që ishe një nga pinjollët më të rëndësishëm të diktaturës! Ti, o Dritëro, paske qenë Luciferri i botës së artit. Ti, thonë ata, ishe koburja vrastare me të cilën Enveri vriste shkrimtarët dhe artistët, se ty diktatura të merrte pëlqimin, – dhe ti e jepje! – për çdo burgim dhe pushkatim! Ti këto mund të mos i kesh ditur as vetë, bile këta që të vërsulen të egërsuar, as t’i faktojnë dhe as t’i dokumentojnë këto. E nuk ndjejnë nevojën për fakte e dokumente! Phë! Ata duan që ti të kesh qenë ashtu, e ti nuk thua dot jo, se nuk gjen në historinë e njerëzimit asnjë të vdekur që të thotë jo, pasi ka dhënë shpirt.
Ca bëjnë bè, – dhe nuk kanë pikën e turpit, – se ti veç gjysmën e kohës rrije në Lidhjen e Shkrimtarëve, se gjysmën tjetër e harxhoje në Ministrinë e Brendshme, duke firmosur urdhra arrestesh e varjesh në litar! 
Të hartojnë me zell lista mëkatesh me emra shkrimtarësh dhe artistësh që ti duhej t’u kishe dalë zot, sepse ishe çoban i tyre dhe të deshin të kishe protestuar, se ata po dënoheshin për faje që ndëshkonte diktatura, por ti duhej të betoheshe se kjo nuk ishte e vërtetë. 
Dhe këta që të fajësojnë, o i dashur Dritëro, janë bashkëkohësit e tu. Nuk janë çunakë të rritur tani kur shahen ndyrazi pa ferrë në këmbë, pushtetarë të gjallë e të vdekur. 
Fajësuesit e tu janë demagogë të paskrupull, që nuk të shajnë ty se, ta zëmë, i paske lënë në baltë, kur ata kishin dalë të protestonin se po varej poeti Avzi Nelaj, po burgosej Minush Jeroja, apo syrgjynosej Spahivogli e prisnin t’u dilje në krye ti, me grushtet e tua përpjetë. Nuk ka rëndësi që ata nuk dolën për protesta hiç dhe as u pat vajtur në mend ajo gjë. Ta kërkojnë ty atë heroizëm! 
Në atë kohë viheshin përpara skuadrës së ekzekutimit, ministra, komandantë repartesh partizane dhe partizanë të thjeshtë, por asnjeri nuk i kërkon asnjeriu që t’i kishte shpëtuar ata. Ty të kërkohet të kishe shpëtuar shkrimtarët! Unë, me stilin e kërkesës së Artur Zhejit, do t’i kërkoja Themie Thomajt, Ministres së Bujqësisë, të kishte shpëtuar nga burgu tërë bujqit dhe blegtorët! Por ata e fisnikërojnë kërkesën ndaj teje dhe bile, të duan të kishe shpëtuar eshtrat e Fishtës që u flakën në Bunë, të mbroje poetët që ty të bënin hije dhe ata që nuk ta rrezikonin famën hiç!
Ty, o i ëmbli poet, të kërkojmë tani që vdiqe, të kishe vdekur nja 50 vjet më parë në sheshin Skënderbej, duke o vënë flakën vetes, si Jan Palaku çek, në mbrojtje të shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë!
***
Por kjo nuk është veçse një zhurmë e poshtër, demagogjike, reaksionare dhe antikombëtare. Këta shkurtabiqër që nuk bëjnë dot hije mbi dhè, e kanë dashur Shqipërinë e asaj kohe një shkretëtirë me thatësirë të zgjatur, me diell të ashpër, pa hije dhe pa oaze. Këta kërkojnë ca hije për staturën e tyre të shëmtuar duke u çjerrë tani se e deshën Shqipërinë e atëhershme pa një Ismail dhe pa një Dritëro. Për nevojat e tyre djallëzore ata ulërijnë të pakënaqur që vendi i tyre kishte vjersha dhe këngë! Meqë ishte diktaturë deshën që njerëzit të mos qeshnin, të mos mrekulloheshin nga pikturat, të mos përloteshin nga këngët e trimërisë! Nuk deshën këmbë aktori nga ata që të linin me gojë hapur, këngëtarë që i kthenin në skenë dy dhe tri herë. Këta i deshën mësuesit të mos u tregonin nxënësve bukuritë e gjuhës shqipe, deshën arsimtarë që të kundërshtonin programet e të mos i vinin shkollarët e vegjël të bënin hartime për luftën, të mos recitonin vjersha për qengjat, për malet me borë, për Partinë dhe për Enverin. 
Këta maskarenj e dinë fare mirë se po kërkojnë të pamundurën! 
E kërkojnë tani dhe nuk guxuan ta kërkonin atëherë, jo më në Zërin e Rinisë, por as në një kafenè. 
Këta të kujtojnë ata gazetarët amerikanë që Ilia Ehrenburgut, shkrimtarit, që vinte nga vendi i sovjetëve, pasi Stalini në një fushatë të egër pat vrarë dhe shfarosur mijëra e mijëra shkrimtarë dhe gjeneralë, kur shkeli në aeroportin e Nju Jorkut e pyetën: “Po ty zotëri që na zbret nga Moska, a nuk të vjen turp që ke mbetur gjallë?!” Poetët tanë të shquar kanë shkruar ca poema që edhe unë nuk do të desha t’i kishin shkruar, por ata nuk mund të bënin pa to. Në historinë e Europës së qytetëruar nuk pat shpëtuar dot nga këto haraçe as Gëtja, as Betoveni, as Pushkini dhe as Molieri. Shkrimtari gjerman Bertolt Breht ka shkruar një ese të tërë për “dredhitë që duheshin për të thënë të vërtetën”. Këtyre poetëve tanë brilantë, udhëheqësi dhe partia e tij ua deshën vargjet si oksigjenin. Por vargjet e tyre nuk ndryshuan asnjë mendje dhe nuk shndërruan asnjë urrejtje në dashuri. Dredhia e këtyre dy mjeshtërve në dhënien e haraçit, bëri që ata të kapnin lartësira dhe mundësi të nxirrnin vepra që mbeten në visaret e kombit, ua bëri voli që të ushqenin shpresën popullit, lartësuan gjuhën e bukur shqipe, dhanë me bollëk nënkuptime, lëvruan alegoritë e “Kalit dhe Gomarit” dhe të kinezërive shqiptare të importuara tek “Koncerti” Këta autorë madhorë u bënë pararendësit e demokratizimit të shoqërisë së asfiksuar shqiptare. 
Korpusi i artë i veprave që bënë, do të ndrisë në shekuj dhe pastaj, në shekuj, asnjeri nuk do t’u shtrojë më kurrë kërkesa të marra dhe idiote për ato që nuk bënë dot.
Vende të tjera në botë kanë pasur shkrimtarë që u kanë bërë ballë më me trimëri diktaturave. Atyre vendeve këta tanët ua kishin zili jo shkrimtarët, por diktaturat.
***
Në këto ditë zije dhe unë pata publikuar ca kujtime dhe me keqardhje përballa me durim sulme të paemrash që ndynin veprën dhe emrin e Agollit. Bile, pa pritur të vdisja, nuk mënuan të më sulmonin dhe mua, një krijues modest, që nuk pata shkruar as “Nënën Shqipëri” dhe as “Përse mendoheshin malet.” Me fraza parafabrikate më fusnin, me të drejtë, në kategorinë e shkrimtarëve të “realizmit socialist”, por nuk më nxinin dot me asgjë. I vetmi mëkat ishte kategoria, ajo që më përkiste, meqë kam botuar vëllime, drama, komedi e kam angazhuar aktorë në qindra komedijëza skenike dhe televizive. Dhe unë duhet të skuqem për to?! A nuk duhet të më thuhet një fjalë e mirë dhe të falënderohem për tërë gazin dhe buzëqeshjet, që kam shkaktuar, unë “shkrimtari i socrealizmit?!” E nëse pranoni dhe ju se nuk paskam asnjë mëkat “komunist”, qenka faj të të kenë sjellë hyjnitë të jetosh në kohëra diktatoriale?! Mirë, atëherë:
Ti, o kritizeri im i pafytyrë dhe ju, o sharamanë pa gravitet tokësor, që kërkoni heroizmat e shkrimtarëve të “realizmit socialist”, nuk ju vjen turp që nuk kryet ju vetë një akt heroik?! Akti heroik nuk ka nevojë as për emra, që ju s’i kishit, as për stilograf, as për penel dhe as për piano e violina. Do t’ju kërkoj pra, atë që i kërkoni Dritëroit dhe Ehrenburgut: 
Nuk ju vjen turp që keni jetuar në diktaturë? Dhe as që keni mbetur gjallë nuk ju vjen turp?

Komento
Shperndaje