Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

AAK dhe NISMA bashkojnë forcat, ja draft-marrëveshja e koalicionit parazgjedhor

AAK dhe NISMA bashkojnë forcat, ja draft-marrëveshja e koalicionit parazgjedhor
April 17
19:34 2016

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës së bashku me Nisma për Kosovën, kanë vendosur të bashkojnë forcat për krijimin e një koalicioni parazgjedhor, ku me një listë të përbashkët zgjedhore do presin rezultatin e zgjedhjeve, shkruan “Indeksonline”.

Bëhet me dije se paraditen e nesërme, dy liderët e këtyre partive në opozitë, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj do të nënshkruajnë marrëveshjen për koalicion parazgjedhor. Në draft-marrëveshje theksohet se koalicioni mbetet i hapur edhe për forcat e tjera politike, me përjashtim të partive që aktualisht janë në pushtet, PDK dhe LDK.

Ja një pjesë e draft-marrëveshjes:

Duke u nisur nga bashkëpunimi i deritashëm opozitar;

Duke pasur parasysh gjendjen e krijuar në vend pas nënshkrimit të dy marrëveshjeve të dëmshme dhe degradimin e plotë të qeverisjes, rrënimin e sundimit të ligjit dhe humbjen e shpresës për zhvillim ekonomik;

Duke pasur parasysh nevojën për ndërtim të një opsioni real qeverisës, që garanton qeverisje demokratike, sundim të ligjit, zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe perspektivë të palëkundur euro-atlantike për Kosovën;

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën lidhin marrëveshje bashkëpunimin opozitar dhe dakordohen me sa vijon:

– Që në zgjedhjet e ardhshme të shkojnë me një koalicion te përbashkët,

– Që të mbeten të hapura për koalicion parazgjedhor edhe për forcat e tjera politike, me përjashtim të partive që aktualisht janë në pushtet (PDK – LDK),

– Që të mbeten të hapur për kandidatura tjera nga Shoqëria Civile, apo personalitete publike.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, po ashtu dakordohen që ta vazhdojnë kundërshtimin opozitar ndaj kapjes së shtetit dhe keqqeverisjes që ka kulmuar me dy marrëveshjet kundërkushtetuese, deri në anulimin e tyre dhe në shkarkimin e Qeverisë dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja.

Komento
Etiketimet
Shperndaje