Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

A u pushuan nga puna kompozitorët? Reagon drejtori i RTSH-së, Thoma Gëllçi

A u pushuan nga puna kompozitorët?  Reagon drejtori i RTSH-së, Thoma Gëllçi
February 02
13:41 2017

Ditën e djeshme, Departamenti i Kulturës në Partinë Demokratike ka denoncuar në media shkarkimin nga puna të tre kompozitorëve të njohur të institucionit të RTSH-së, Edmond Zhulali, Shpëtim Saraçi e Alfred Kaçinari.

“Në valën e shkatërrimit të Radio Televizionit Shqiptar, tre kompozitorët e shquar, Shpëtim Saraçi, Edmond Zhulali dhe Alfred Kaçinari, të cilët kanë bërë histori në krijimtarinë tonë, pa asnjë lajmërim, në kundërshtim të hapur me ligjin si dhe në shkelje flagrante të integritetit të tyre profesional, pushohen nga puna pa asnjë mundësi reagimi apo alternativë për të vazhduar kontributin e tyre artistik”, – shkruante dje Arben Skënderi, kreu i këtij departamenti në PD.

Pas këtij lajmi, Blitz.al ka kontaktuar me drejtorin e RTSH-së, Thoma Gëllçi, i cili ka sqaruar në detaje të vërtetën e këtij lajmi dhe atë se çfarë po ndodh me institucionin që ai drejton.

“Më 15 janar hyri në fuqi ligji për ndryshimet e reja në strukturën e RTSH-së, në bazë të të cilit të gjitha drejtoritë nuk do të jenë si më parë, pasi do të shkrihen dhe do të ristrukturohen nga e para. Nuk do të ketë më drejtori e radios, e satelitit, të rretheve, por do të ketë disa njësi dhe ato janë: Njësia e Programeve; Njësia e Lajmeve dhe Njësia Teknike”,- tha Gëllçi.

 Më tej Gëllçi sqaroi në detaje të vërtetën e pushimit nga puna të 3 kompozitorëve të njohur.

“RTSH është në periudhë ristrukturimi dhe nuk do të ketë më departamente të ndara, si ai i muzikës, por do të ketë redaksi. Pra do të ketë redaktorë muzike dhe jo kompozitorë. Nuk është e vërtetë se janë shkarkuar. Por për shkak të ndryshimit të strukturave bëhen edhe këto lëvizje.  Të gjithë ata që kanë qenë të punësuar mund të aplikojnë sërish për të qenë pjesë e strukturave të reja. Mund të jenë ata që ishin ose disa të tjerë.  Secili prej atyre që ka dëshirë mund të aplikojë dhe më pas do të merren vendimet për punësimet e reja nga Këshilli Drejtues i RTSH-së”,- sqaroi Gëllçi.

Lajmi i pushimit nga puna të 3 kompozitorëve u shpërnda që dje dhe Blitz.al kontaktoi me z.Zhulali i cili konfirmoi lajmin, por nuk dha komente të mëtejshme. /Blitz.al/

Komento
Shperndaje